-Rama: Refuzimi, goditje për të gjithë rajonin-
KOMENT/
Amerikanët janë të gjithë në një mendje: “Këshilli Europian gaboi duke mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
E ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, e ftuar nga Universiteti Mesdhetar në konferencën “Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor” inkurajon vendin të vazhdojë të ndjekë perspektivën europiane dhe vlerëson fortë që deri tani i ka thene JO çdo tentative ruse, kineze apo iraniane për ta shfrytëzuar këtë moment.
“Shqipëria ka mbajtur qëndrime parimore, duke i bërë të qartë Kinës se disa gjëra thjesht nuk janë për shitje, duke refuzuar makinacionet ruse si edhe duke mos toleruar terroristë iranianë në tokën e saj”.
Analisti dhe njohësi më i mirë i Ballkanit, amerikani Daniel Serëer, e quan turp vendimin e Francës e Holandes më 18 Tetor.
“Francës e Holandës duhet t’u vijë turp si vepruan me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut”.
Vetë Edi Rama e vlerëson refuzimin e Këshillit Europian si goditje jo thjesht për perspektivën e Shqipërisë, por gjithë rajonit. Për të, më shumë se gjithçka, vendimi për të mos zgjeruar unionin me vendet e Ballkanit Perëndimor godet procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke e bërë BE një strukturë të pabesueshme.
“Pas vendimit të Këshillit të Europës, pozicionimi i Bashkimit Europian në këtë konflikt është dobësuar tej mase dhe kapaciteti për të ndikuar në procesin e dialogut është tkurrur tej mase. Sepse BE me vendimin e marrë apo me mosvendimin që rezultoi në fund të një debati të nxehtë mes veti në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndër të tjera i dha goditje besueshmërisë së vetë, dhe do të jetë e vështirë për të dyja palët që të besojnë në mundësinë e incentivave që mund të deklarohen, por faktikisht mund të mos mbahen”.
E si për të përforcuar atë që deklaron Kryeministri Rama e për të bërë dallimin mes BE e NATO-s, ish zv\Sekretari amerikan i Shtetit flet për kujdesin që SHBA tregoi gjatë procesit të zgjerimit të Aleancës së Veriut.
“Ne kishim gjithë kohës kujdes që të mbanim premtimet për vendet qe ju kishim kërkuar reforma për t’u anëtarësuar në NATO”.
E si për të treguar që qendrimin refuzues të Holandës në Këshillin Europian për të 2 vite radhazi nuk e kapërdin dot, Edi Rama ju tregon të pranishmëve në konferencë se vendimi i këtij shteti nuk ka lidhje me ecurinë e reformave.
“Vijnë, vlerësojnë dhe pranojnë ndryshimet, dhe kur shkojnë në Holandë vendosin sërish mbi bazën e perceptimit jo realitetit”./Klan tv/