Nga Frrok Çupi

Dje nuk kishte njeri para portës së Kuvendit. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, ose shumë rrallë. Veç një “kasketë”, siç janë quajtur komunistët e hershëm, po vinte duke picërruar sytë për nga porta. Këtë portret sovjetik demode e kisha fiksuar në librarinë “Albania”, kur sapo kishte dalë në treg libri “Kurbani” i Edi Ramës; dhe ky zihej me dikë që i tha se “nuk e blej atë libër”… Dje, përveç këtij tipi që picërronte sytë në drejtim të portës, askush tjetër nuk priste…

Asnjeri … Një gjë ka ndodhur.

Nëse do që të ndjesh sa lëng ka akoma pushteti; atëherë kalo këndej, në rrugën që ndahet nga bulevardi i madh “Dëshmorët e Kombit”, përballë selisë së Qeverisë. Aty harqet e gurtë alias sovjetik të selisë së Kuvendit, herë ngrihen si vetulla gjigande trimëruese, herë bien të ngrysura. Tamam te porta e metaltë, ku bën roje Garda e Republikës dhe hyjnë e dalin deputetë e ministra, aty duket si fuqitë e mëdha të vendit bëjnë paradën e forcës dhe të pa-forcës…

Ka dy shenja që dëshmojnë:

Shenja e parë, nga ana e popullit.

Kur janë të fortë ata në pushtet, këtu ka shumë njerëz, gati si turma që bllokojnë rrugën dhe presin ministrin ose deputetin “e secilit”. “Të secilit” sepse secili pret deputetin e vet. Të krijohet një përshtypje se je në Bursën e Nju Jorkut, ku aktorët bëjnë me duar e me shenja duke vështruar diku. Këta që presin, tërë sy e veshë, presin deputetin apo ministrin e tyre dhe ngrihen në majë të gishtave që ta pikasin. Deputetët e kanë marrë votën e tyre dhe kanë bërë premtime; por edhe këta të popullit presin “haraçin”. Në fillim, kur sapo kanë mbaruar zgjedhjet dhe është formuar qeveria, këtu ka shumë- shumë njerëz. Pastaj pak nga pak rrallohen, deri në fund të qeverisë. Veç në ditën e fundit të qeverisë kjo rrugë mbetet bosh, pa ata njerëzit e “Bursës” që bëjnë me gishta e me sy.

Shenja e dytë, nga ana e qeverisë, manifestohet ndryshe. Sapo është formuar qeveria, deputetë e ministra vijnë me “dum” të madh, përplasin makinat luksoze diku në trotuar, hedhin një sy si kau kur del për kullotë, eliminojnë ndonjë armik që kalon rastësisht dhe hyjnë në turmat e “tanëve”. Këtu duket sa të fuqishëm janë. Afrojnë te veshi gojën e dikujt nga populli, i japin fytyrës një “mirësi” shenjtori dhe belbëzojnë: “Po, po, po!… Kuptova. U mbarua kjo punë!”. Pastaj tjetri, e me radhë, me gojën te veshi i atij që po nxiton se e presin punët e mëdha brenda barkut të selisë së Kuvendit…

Fundi?

Kur thahet lëngu i pushtetit, atëherë këtu dëgjohet veç zukatja e fortë e gjinkallave. As fourojnë makinat luksoze, as njerëz nga populli duken më. Dje nuk kishte më njeri te porta. Veç ai me kasketë që picërronte sytë…

Këtu, në këtë rrugicë bien pushtetet; ose ngrihen kur ngrihen. Kështu ka ndodhur përjetësisht. Këtu bënte paradën glorifikuese diktatori komunist Enver Hoxha; këtu u vra kryeministri komunist Mehmet Shehu; këtu ruante ushtari i Gardës dyzetepesë vjet duke dëshmuar se mes dy botëve kishte Luftë të Ftohtë; këtu u manifestua miqësia me Moskën duke ngritur selinë e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste sipas stilit stalinist; këtu u krye ceremoniali fashist i Perandorisë së Augustit, dhe vetë ceremoniali glorifikues mbretëror… Kur bie një pushtet, atëherë arratisen njerëzit, njësoj siç ndodh me kolonitë e shpendëve kur ndërrojnë stinët.

Ja kështu ndodhi dje: Nuk kishte më njeri te porta.

Të vetmit që nuk e dinë se nuk ka më qeveri, janë pjesëtarët e qeverisë. Kryeministri e di këtë; por po e thotë me fjalë të tjera. “Kasketa” mund të ketë shansin të blejë “Kurbanin” e dytë. Rënia e qeverisë është fshehur po këtu, në këtë rrugë e para kësaj porte, ku edhe është glorifikuar. Në kuptimin më të afërt metaforik, rënia është strukur në tunelet ku strehoheshin komplotet e ndërtuara nga diktatura komuniste. Këtu, nën këmbët tona ndodhen akoma.

Edhe kësaj here rënia u shënua nga komploti. Një shëmtim i historisë, por një përsëritje e keqe e saj. Bash në kohën kur gjysma e fuqisë së pushtetit ndodhej jashtë atdheut, në këto tunele u projektua komploti. Kryetari i Kuvendit, ose numri 2 i pushtetit, ose president i Republikës në rast të papritur, (këto funksione mban Ilir Meta) po vizitonte aleatin Amerikë. Bash në këtë çast, kryeministri i thuri komplotin. Atëherë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u detyrua të lërë Amerikën dhe të niset urgjent për në Tiranë, për t’i shpëtuar komplotit. Ka ndodhur edhe një herë tjetër kështu, në kohën e diktaturës, prill 1956. Lideri kryesor la Moskën dhe me natë e me ditë mbërriti në Tiranë për t’i shpëtuar komplotit. Këtu, pikërisht te këto kolona e dëshmoi fuqinë…

Ilir Meta po kthehet urgjent nga Amerika në Tiranë. Që në momentin kur zyra e shtypit e Partisë së Metës dha lajmin, te porta nuk ka më njeri. Veç “kasketa” që picërrin sytë.

Ilir Meta, jo rastësisht e dha lajmin në mënyrë të bujshme. Edhe dhjetëra herë të tjera ishte thurur komploti brenda dy pjesëve të qeverisë; por kishte kaluar heshturazi. Edhe dhjetëra herë kishte rënë qeveria, po në këto salla sovjetike; por ishte kaluar në heshtje, si në tunel. Ilir Meta nuk kishte dashur që porta para zyrave të tij të mbetej “në diell”. Dje nuk kishte më njeri; sepse dje e shpalli botërisht luftën. Njoftimi se “po vij!” frynte trumpetat e luftës.

Kryeministri, i futur në dëshpërim pse kundërshtarë të tij ishin ftuar nga Amerika, por ky jo; thuri komplotin. Njoftoi se shtatë ligje do të votoheshin në Kuvend pa praninë e aleatit në qeveri dhe pa praninë e opozitës. Shtatë ligje do të hidhnin poshtë cilindo tjetër e do të ngrinin kryeministrin në kult. Kryeministri h hodhi poshtë parimin konsensual dhe ngriti shpresën se do të mblidhte turmat. Turmat do t’i mblidhte në momentin mungesës së kundërshtarit. (Kundërshtari është ftuar në Amerikë). Vetë Kuvendi do të kthehej në një “turmë” për kryeministrin. Ky do të blinte një duzinë deputetësh dhe do të votonte ligjet. Paratë e tregut të drogës dhe të korrupsionit të madh, do të ktheheshin në numra deputetësh dhe në fuqi turmash. Aleati do të ngelej jashtë; por edhe opozita, edhe vetë demokracia. Kryeministri, me këta numra do të bënte sikur do të rrëzonte qeverinë e tij dhe pas saj të ngrinte një qeveri të garantuar, pa aleatë. Paratë e drogës dhe të korrupsionit vlejnë akoma më shumë se për këtë. Njësoj si në taktikat e Erdogan të Turqisë; edhe ai sajoji një grusht shteti për të qëruar kundërshtarët…

Komploti është njësoj. Dallimi duket këtu para portës, në rrugë. Ndërsa në aeroportin e Stambollit u mblodhën mijëra njerëz, të ardhur nga cepat e Anadollit; këtu te porta e “fuqisë dhe mos-fuqisë” nuk ka më njeri. Veç me “kasketën” që picërron sytë nuk mund të thuash se ka më njeri. Ai po pret Kurbanin e dytë.

Porta e selisë së glorifikimeve dhe rënieve, është veç simbolika. Në fakt rënia e qeverisë ka ndodhur kudo, pjesë- pjesë. Kanë rënë premtimet, qysh prej fillimit. Ka rënë besimi dhe popullariteti. Ka rënë siguria e njeriut. Ka rënë shpresa se qeveria mund ta asistojë njeriun e uritur; është shtuar skamja dhe sëmundja. Kujt i kanë mbetur dy lekë, ky po i ruan nën jastëkun e kokës. Është rritur luksi i qeveritarit dhe është polarizuar shoqëria deri në pikë tragjike. Jugu i përkëdhelur është futur në qerthullin e rrezikshëm të përkatësisë së këtij apo të atij. Bregdeti u pronësua nga pak duar. Qeveria, në mbarë vendin, ka ndarë parcelat e drogës për më të besuarit dhe iu vjel haraçin; “për të shitur e shes unë, ti veç mbille dhe korre”, iu thotë qeveria. Është bërë gati një fushatë e përgjakshme zgjedhjesh. Qeveria po e çon vendin në luftë…

.. Po të mos e kishte parë se ka rënë shumë herë, Ilir Meta nuk do të fluturonte për tu ndarë përfundimisht prej saj. Që kurse u njoftua beteja, te porta nuk ka më njeri. Kjo do të ishte rënia më e pa dëme.