Nga Michel COLOMÈS/

 

Kë kanë përballë kandidatët më apopullorë të historisë së Shteteve të Bashkuara? Gary Johnson, kandidati i partisë libertariane për në zgjedhjet presidenciale 2016, ndonëse vështirë të fitojë, mund t’ua komplikojë fushatën Trump-it dhe Clinton-it.

“Kandidatët e tretë janë si grethi. Ata thumbojnë dhe më pas ngordhin”, pat deklaruar në 1955 historiani Richard Hofstadter. Kandidati i tretë në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit 2016, ish guvernatori i Nju Meksikos Gary Johnson, 63 vjeç, është paraqitur nga Partia libertariane, pa zgjedhje brenda partisë dhe pa konventë të zhurmshme spektakolare si ajo që mbajtën republikanët në Cleveland këtë javë. Por ai do ta përgënjeshtrojë parabolën e grethit. Dhe mendon sidomos se rrethanat nuk kanë qenë kurrë kaq të favorshme për këtë.

Në historinë amerikane ka ndodhur rrallëherë, në fakt, që zgjedhësit të jenë para dilemës për të zgjedhur midis kandidatësh, të cilët, që të dy, rivalizojnë për mungesë popullariteti. Rrallëherë i kemi parë hierarkët e partisë republikane të rreken, deri në debatet e konventës, të gjejnë mjetet proceduriale që do të mundësonin të vihej në pikëpyetje vota popullore e zgjedhjeve brenda partisë. Këta të fundit do të dyshojnë deri në fund për aftësitë e kandidatit që është caktuar për ta përmbushur këtë punë. Sa për Hillary Clinton-in, mendjelehtësia që dëshmoi në përdorimin e postës së saj elektronike, ndërsa ishte zemra e diplomacisë amerikane, në një periudhë vendimtare, na shtyn, përtej Partisë demokrate, të vëmë në pikëpyetje seriozitetin e saj dhe madje edhe ndjenjën e saj të detyrës në menaxhimin e çështjeve shtetërore, nga momenti që bëhet fjalë për të pranuar disa kufizime.

 

Makinë thithëse për votat e djathta

Atëherë dilema e zgjedhësve përballë dy partive tradicionale – Trump është tashmë simboli i kësaj dileme – a nuk mund t’u japë shans libertarianëve, në mos të fitojnë, të paktën të peshojnë në rezultatin? Doktrina e libertarianëve është të militojnë me qëllim që shteti të ndërhyjë sa më pak të jetë e mundur në aspektet e ndryshme të jetës: ekonomi, por edhe shëndetësi, shkollim, mbrojtje, siguri dhe në çdo problem tjetër shoqëror. Ata janë për shembull pro legalizimit dhe shitjes së marijuanës.

Gary Johnson pati shkathtësinë të ndërtonte një partneritet me William Weld, ish guvernatori i Massachusetts, një republikan i moderuar dhe – pa diskutim – një anti-Trump. Ai llogarit që për çështjet ekonomike që ai mbron – më pak taksa, më pak subvencione, më pak asistencë –, ai do të thithë zgjedhësit, të cilët gjuha abuzive dhe personaliteti kapriçoz i miliarderit të pasurive të patundshme, do t’i bëjë të votojnë ndryshe nga ç’e kanë zakon dhe nuk do t’ua japin votën kandidatit republikan të caktuar. Ja pra makina thithëse e votave të së djathtës.

 

Shënjestra: kufiri fatlum  15 %

Por ka nga krahu tjetër, tek demokratët, zgjedhës që e urrejnë personalitetin e Hillary Clinton-it dhe kanë ndjekur, që në fillim të zgjedhjeve brenda partisë, fushatën e Bernie Sanders. Këta të fundit e gjejnë veten në programin e Gary Johnson për çështjet sociale. Martesat gay, legalizimi i marijuanës, shkollimi i mundshëm për të gjithë dhe madje ndalimi i ndërhyrjeve ushtarake jashtë vendit. Ai ka krijuar madje edhe një quiz enkas për ta në një web-site për t’u treguar të zhgënjyerve nga tërheqja e Bernie Sanders se ai mund t’u japë atyre atë çka dëshirojnë.

Dhe duhet të besojmë se kjo funksionon. Sondazhet tregojnë se Gary Johnson mbledh më shumë zgjedhës potencialë se Hillary Clinton dhe se Donald Trump. Dhe në përballjen e përgjithshme të Nëntorit, kandidati prishësh-feste ka kaluar nga 10 në 12 % të votave të parashikuara pro tij, brenda disa javësh. Ai po synon tanimë kufirin fatlum të 15 %. Që do t’i mundësonte pjesëmarrjen në debatet televizive me kampionët e dy partive tradicionale. Efekti i kandidaturës së Gary Johnson është tashmë i ndjeshëm në të dy elektoratet. Por nëse ky burrë i hollë, thinjosh, me pamjen e njeriut ngaherë në ngut, shumë karizmatik, hyn në rrethin e ngushtë të atyre që janë lejuar të marrin pjesë në këto debate të mëdha televizive, për të cilat e dimë se deri në ç’pikë janë të ndjeshëm zgjedhësit amerikanë, ruhuni nga surprizat. Dhe, kush e di, edhe nga ndërrimi i situatës…

 

Nga Michel COLOMÈS