Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.
Qeveria e RS-së e bëri këtë propozim gjatë një mbledhjeje të mbajtur në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku u miratua rezoluta që e shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Ambasada amerikane tha se ky propozim është në mospërputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.
Ajo e akuzoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska dhe Qeverinë e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Sërpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.
Ajo e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.
“Kushtetua e BeH-së nuk u jep të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo ‘shkëputje’. RS-ja mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnje e Hercegovinës”.
Veprimet e Dodikut, sipas Ambasadës, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që e do populli i Bosnjës, përfshirë RS-në.
Kryeministri i RS-së, Radovan Ademoviç, tha pas mbledhjes se “kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ne do ta ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, e që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”.
Dodik mori pjesë në mbledhje, gjithashtu.
Nedim Ademoviç, ekspert i së drejtës kushtetuese, tha për Radion Evropa e Lirë se asnjë entitet i vetëm, asnjë komb i vetëm nuk mund të kryejë shpërbërjen paqësore në Bosnje e Hercegovinë.
“As entitetet dhe as popujt nuk kanë asnjë të drejtë në atë kuptim, as të drejtën e vetëvendosjes. Ky është një qëndrim i qartë dhe vendimtar. E vetmja që mund ta bëjë këtë është Bosnje dhe Hercegovina, pra Asambleja Parlamentare e BeH-së. Në kuadër të procedurës kushtetuese, organi më i lartë legjislativ dhe ligjor i BeH-së mund të ndryshojë Kushtetutën e BeH-së. Kur të ndryshohet Kushtetuta, mund të ndryshohet struktura e brendshme”, tha Ademoviç.
Ai shtoi se vendimi i Qeverisë së RS-së ishte “absolutisht jokushtetues” dhe se “të gjithë në Bosnje dhe Hercegovinë e dinë këtë, veçanërisht Milorad Dodiku”.
“Kjo nuk është hera e parë që Federatës së Bosnjë e Hercegovinës i ofrohet një marrëveshje për ndarje paqësore, e cila më pas, ashtu si edhe në të ardhmen, do të dështojë dhe nuk do të ketë asgjë. Prandaj, është thjesht spekulim i pastër, spekulim, dhe nuk ka asgjë serioze”, theksoi Ademoviç./REL