Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi gjatë konferencës para mediave se qeveria ka marrë konfirmimin përfundimtar nga DASH se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të jenë “bashkëpenëmbajtëse” për çështjen e Ukrainës.

Kreu i qeverisë shqiptare u ndal fillimisht te ky lajm, duke e konsideruar një zhvillim pozitiv për pozicionin e Shqipërisë në rajon.

“Flasim për një Shqipëri që vlerësohet për qëndrueshmërinë, dhe aftësinë dhe luajtjen e rolit që i takon si një vend që promovon”, shtoi Rama.

Sipas kryeministrit, anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe dimensioni që ky fakt i jep marrëdhënieve mes palëve, pasurohet me “një fakt të ri”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Më tej, Rama deklaroi se për të qënë pak më konkret, krijimi i këtij çifti është ndërmarrë për të garantuar një angazhim të vazhdueshëm mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

Kryeministri u shfaq i emocionuar nga ky zhvillim. Ai e konsideroi si “kurorëzimin e një përpjekjeje për ta bërë Shqipërinë që të qëndrojë në një nivel tjetër të marrëdhënieve ndërkombëtare”.

Kreu i qeverisë, teksa u pyet për rolin e Shqipërisë në tensionet Rusi-Ukrainë, garantoi se duhet të kërkohen pikat e përbashkëta.

“Shqipëria është shumë e qartë në pozicionin e saj, nuk ka pasur asnjë ekuivok. Në këtë përballje elefantësh, ruajmë të drejtën që të themi…bisedime, bisedime, bisedime”, tha më tej Rama.

Xhaçka

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi fillimisht se mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara ekziston një sinergji mbi çështjet e sigurisë.

Zyrtarja shqiptare sqaroi gjatë konferencës se palët kanë ravijëzuar bashkëpunimin shumë të ngushtë mes tyre.

Xhaçka shtoi se ky bashkëpunim ka qenë aq i fortë, sa SHBA-të kanë qenë të gatshme që të bashkëndajnë përgjëgjësinë për “bashkëpenëmbajtjen”.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka

Sipas kryediplomates, ky është një privilegj i jashtëzakonshëm.

Qëndrimi i Shqipërisë

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, nga mbledhja e KS-së për Ukrainën do të deklaronte se Shqipëria është e shqetësuar për vendosjen e trupave ruse në kufirin ukrainas.

Sipas tij, një sulm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës nuk është një krizë midis Rusisë dhe Perëndimit, por diçka tjetër.

“Është një sfidë për sigurinë evropiane dhe një përballje me Aktin Final të Helsinkit dhe Dekalogun e tij mbi të cilën është themeluar OSBE”, deklaronte Hoxha.

Ai theksoi më herët, se kjo krizë duhet të zgjidhet me bisedime dhe në mënyrë diplomatike.  /Albanianpost.com