Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike (ATOA) ka njoftuar se rrjeti i njohur i hotelerisë Sheraton do të largohet nga Shqipëria duke filluar nga 1 Janari 2018! Në një deklaratë për shtyp, Shoqata thotë se kjo ishte “dhurata” më e keqe që i bëhet turizmit shqiptar në këtë fundvit festash, dhe është një nga lajmet më negative të gjithë historisë së 20 viteve të fundit të hotelerisë dhe turizmit tonë, dhe vjen në një kohë që paradoksalisht qeveria sapo mori masat e saj për të stimuluar pikërisht hotelet e kësaj kategorie, pra të rangut të Sheratonit, raporton Monitor.

“Sheratoni (që një vit me parë u ble nga grupi më i madh hotelerik në botë Marriott) është një emër shumë serioz dhe me peshë në grupet e zinxhirëve hotelerik.

Për 14 vite me radhë Sheraton Tirana i besoi emrin e vet, një destinacioni problematik dhe me imazh shumë të cënuar sic ishte Shqipëria, duke riskuar në kosto të imazhit dhe biznesit të vet, imazhin e një vendi ku s’kishte shkelur asnjë zinxhir hotelerik më parë. Për më tepër në 2003 kur Sheratoni vendosi të vinte në Tiranë, shumë pak kryeqytete në rajon kishin hotele brand të këtij niveli. Madje edhe sot e kesaj dite Sheraton nuk ka çdo vend fqinj.

Për 14 vite rresht Sheratoni ishte hoteli i parë (dhe ngelet nga të paktët) me 5 yje, por duhet theksuar që realisht i meriton 5 yjet sipas standardit ndërkombëtar. Dhe më shumë se një hotel, ka qenë një kartvizitë e vetme dhe e paçmuar e garancisë së cilësisë, të sigurisë së vendit, dhe brandit ndërkombëtar për shumë turistë të nivelit të lartë, biznesemen, njerëz të famshëm të artit, sportit, apo edhe politikës, që kanë vizituar Shqipërinë, ndoshta edhe prej garancisë që Tirana kishte një hotel brand të nivelit të Sheratonit ku ata mund të akomodoheshin dhe ndoshta s’do kishin ardhur po të mos ishte ky hotel.

Por doza e keqardhjes shtohet kur mendon se paradoksalisht qeveria sapo mori masat e saj për të stimuluar pikërisht hotelet e kësaj kategorie, pra të rangut të Sheratonit. Pra gjithë ajo falje fiskale nuk mjaftoi për ta mbajtur Sheratonin këtu, gjë që konfirmon shqetësimin tonë se falja fiskale mund të jetë mundi më i vogël i qeverisë për të tërhequr hotelet brand, por nuk mjafton aspak nëse nuk garantohen shumë elementë të tjerë. Nuk mund të vijë dikush të bëj biznes sepse ti i premton që s’do i marrësh taksa, pa i garantuar më parë që ketu do gjejë një vend ku mund të prodhojnë para për t’i paguar ose jo ato taksa.

Nuk jemi të sigurt sesa rol mund të luante qeveria për të frenuar ikjen e të vetmit hotel brand në vend, por jemi të sigurt qe nuk mund te bënte indiferentin por te ishte një nga aktoret kryesor ne tavolinën e bisedimeve. Sepse përpara se të kërkohen hotele brand të reja, duhen mbajtur ato pak që kemi aktualisht.

Ndërkohë që nëse nuk lëvizet as një gur nga vendi për muaj të tërë, nëse i gjithë sektori i turizmit vazhdon të operojë për vite me radhë pa rregulla e standarde, në një klimë kaubojsish me informalitet në ekstrem, nëse trendi ynë i turizmit po caktohet nga kompanitë e Evropes Lindore që thelbin e kanë tek lufta e çmimeve, nëse në Ministrinë e Turizmit nuk e dinë çdo të thotë fjala MICE, dhe nëse kryeqyteti ynë është nga të paktët që nuk ka akoma një zyrë dhe qendër konventash (“Convention Bureau” dhe “Convention center”), atëherë jo vetëm po t’u heqim taksat, por sikur edhe t’u japim lekë, nuk kanë për të na ardhur hotelet brand që duam, ndërkohë që po shtohen çdo ditë në Shkup, Podgoricë, Beograd, e pa folur për Zagrebin e Lubjanën”, përfundon deklarata për shtyp e ATOA.

Veritas.com.al/