Nga: Arsen Musta/
Elizabeta Imeraj, një prej prokuroreve më të njohura në vend, me 17 vite eksperiencë në organin e akuzës, aktualisht drejtuese e Prokurorisë se Tiranës, del përfundimisht nga sistemi.
Imeraj, e cila njihet se prokurorja e dosjeve të bujshme është shkarkuar nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas seancave maratonë të zhvilluara si rrallë herë në procesin e vettingut.
Vendim unanim 5 më zero nga ana e trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të drejtuar nga ish prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. KPA e gjeti me probleme znj. Imeraj në të 3 shtyllat e vlerësimit.
Gjatë leximit të vendimit, Ina Rama tha se Imeraj nuk justifikon pasurinë, duke evidentuar pronën 2500 m2 tek ish fusha e aviacionit dhe sipas saj s’ka burime të ligjshme.
“Po ashtu edhe për tokën arë të ndodhur në Mullet s’ka burime. Për apartamentin ndodhur në Tiranë prej 66 m2 dhe shtesë subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë. Për shlyerjen e kredive të marra në 2006 dhe në 2008 subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë patur pamjaftueshmëri për shlyerjen e këtyre kredive”, tha ajo.
Sipas saj për figurën rezulton se subjekti ka mohuar faktet për ish- kunatin, duke treguar jo korrektësi të magjistratit.
“Subjekti ka treguar sjellje jo profesionale duke kontaktuar përfaqësues të ONM që ndiqte procesin e saj. Vendosja e kontakteve me ONM për çdo arsye e jo e duhur dhe jo ligjore. Është sjellje e papërshtatshme”, tha Ina Rama, teksa njoftoi shkarkimin.
Një javë më parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua seanca ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ku palët dhanë konkluzionet përfundimtare. Në përfundim të 6 orëve seancë, u vendos që vendimi përfundimtar nëse do të përjashtohet ose jo nga sistemi i drejtësisë do të jepej sot (27 prill).
Imeraj kërkoi që të lihet në fuqi vendimi i KPK që e konfirmoi në detyrë, teksa komisioneri Publik Florian Ballhysa, në raportin e tij kërkoi shkarkimin e saj me argumentin se nuk plotëson asnjë nga tre kriteret e vetting. Sipas tij, ankimi është paraqitur brenda afatit dhe është ligjërisht korrekt. Ballhysa ka thënë se sa i përket pasurisë Imeraj në deklaratat nga viti 2004 deri në vitin 2016 s’ka deklaruar asnjë pasuri që lidhet prej regjimit martesor. Lidhur me truallin me sipërfaqe 2500 m2, ndodhur në Tiranë komisioneri publik tha se Imeraj as në proceset në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nuk provoi të kundërtën e asaj që ka gjetur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Elisabeta Imeraj kaloi me sukses shkallën e parë të vetting-ut, por u përball në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Institucioni i Komisionerit Publik kërkonte shkarkimin e saj nga detyra. Për OMN kryeprokurorja e Tiranës duhet të rivlerësohej për të tria kriteret. Sipas Komisionerit Publik, Imeraj kishte probleme me pasurinë e ish-burrit dhe me integritetin.