Është shkarkuar nga detyra prokurori i Tiranës Bajram Breçani. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme në dy kritere, pasurinë dhe profesionalizimin.

Gjatë detyrës së tij si prokuror, Bajram Breçani pushoi hetimin për vrasje ndaj të akuzuarit Gjergj Cukalit. Breçani u denoncua nga bashkëshortja e ish-efektivit të policisë Arben Bilali, për pushimin e hetimeve ndaj të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortit të saj në Tiranë në janar të vitit 2019. Denoncuesja pretendonte se subjekti nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës së Apelit dhe se ka manipuluar qëllimisht situatën.

Breçani e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 1995 dhe e ka ushtruar këtë detyrë deri në vitin 2000. Ai është rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 2013 si prokuror në Prokurorinë e Krujës. Një vit më vonë është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit ku ka shërbyer deri në vitin 2016, kur u caktua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndërkohë kanë mbetur pa kaluar në filtër afro 250 prokurorë të prokurorive të Shkallës së Parë dhe Apelit.

Kush është Gjrgj Cukali?

Gjergj Cuklali, i njohur si i forti i Myslym Shyrit, është arrestuar pasi akuzohet se ka porositur atentatin ndaj biznesmenit Gjon Mema. Më 9 shkurt 2021, në rrugën “Silvio Berluskoni” në Kamëz automjetit BMW të biznesmenit Mena iu vendos tritol i cili pas shpërthimit shkaktoi vetëm dëme materiale. Për antentin ndaj Memës në 2021 janë arrestuar Gjergj Cukali, 42 vjeç si edhe dy vëllezërit, Enver Jamaku, 33 vjeç, dhe Ermond Jamaku, 24 vjeç. Cukali akuzohet si porositësi i këtij atentati të dështuar për eliminimin fizik të Menës, ndërsa dyshohet se ka paguar vëllezërit Enver dhe Edmond Jakimi për atentatin.

Cukali ka qenë i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në janar 2019. Por në një kohë të shkurtër hetimesh, prokuroria e Tiranës nuk mundi të bindë Gjykatën e Aplit të mbajë në burg Gjergji Cukalin, të arrestuarin për krimin e rëndë. Në shtator 2019, pas vetëm 4 muajve në qeli Cukali u la i lirë nga Gjykata e Apelit me trupë gjykuese Alaudin Malaj, Elbana Lluri dhe Gentian Shala. Gjergj Cukali, i njohur si i “forti i Myslym Shyrit”, u arrestua si një nga të dyshuarit kryesor të vrasjes së ish-efektivit Bilali për shkak se gjurmët e gjetura në një bidon plastik uji brenda mjetit të braktisur të autorëve përputheshin me të tijat, provë kjo e cila nuk ishte bindëse për gjyqtarët e Apelit të Tiranës, duke i rikthyer atij lirinë.