Frrok Çupi/
A mund të kishte Shkodra një ‘Jozefinë’ të dytë? Deri në kufi të të pamundurës, ishte menduar. Aq sa disa diplomatë që bënin sikur e shqiptonin keq emrin e politikanes së fortë nga Shkodra, e thërrisnin ‘Jozepina” alias Josephine Beauharnais- gruaja e parë e Napoleonit të Parë…
Por ja që historia e të fortëve nuk është edhe aq rezistente; Shkodra tani po krijon ‘Jozefinën’ e Dytë.
Qeveria e re e shpallur ‘Rama 2’, ka shumë lidhje me dublin. Jo vetëm se Jozefina Topalli po dublohet nga Senida Mesi, por edhe për disa ‘kopje’ të tjera:
Një kopje është mes qeverisë ‘Rama’ dhe opozitës PD. Rama e ndjeu të domosdoshme që, në skuadrën e tij, të krijonte një ‘egërsirë’ grua për të sulmuar. A nuk ishte Jozefina kështu? Edhe Senida ‘gia’ e ka krijuar këtë profil. Shiko çfarë i shkruante kryeministrit Rama: “Ndihesh i sigurt të jetosh në Shqipëri? Unë jo! Mbas shpërthimit me tritol mbrëmë te komshiu i pallatit tim, ndjenjës së pështjelluar (frikë, pasiguri, trishtim) i bashkohet një thirrje për qeverinë: Stop fushatës PR për shou politik që keni ndërmarrë, mjaft me konferencat për shtyp, boll më duke dalë në TV”.
Një kopje tjetër:
Gruaja e re e fortë e Shkodrës është zëvendëse e numrit Një; do të jetë zëvendëskryeministre. Edhe gruaja e parë e fortë nga Shkodra ishte zëvendëse e numrit Një- Berisha. Veçse Jozefina nuk e kritikoi kurrë ‘Njëshin’ e saj; po kurrë! Edhe sikur dikush të thoshte një fjalë ndaj Berishës, ajo ishte gati t’i jepte ‘plumbin ballit’. Rama e ka toleruar këtë pjesë, me qëllim që të tregohet ‘i stilit tjetër’.
Kopja e tretë brenda subjektit:
Të gjitha qeveritë post- diktaturë, sidomos qeveria Socialiste, ndjekin skemat e qeverive të diktaturës hoxhaiste. Shkodra – e konsideruar si antikomuniste, aq sa është shtypur nga makina e diktaturs, aq edhe është ‘përkëdhelur’ nga diktatura. Përkëdhelur dmth., duke emëruar ministra, presidentë, deputetë, kryetar parlamenti…., për shkak se ‘e duam Shkodrën me vete’. Edi Rama si kryeministër, e shkeli shumë Veriun gjatë mandatit të parë dhe tani po mendon se korrigjohet duke krijuar “Jozefinën” e Berishës, ose ‘Alinë’ e Enver Hoxhës, ose ‘Ditmirin, e Sul Bushatit.
Jo vetëm emërimi i shkodranes me mbiemër nga e famshmja ‘Ura e Mesit’, por nga shumë aspekte, qeveria Rama është një ‘dubël’.
Në radhë të parë, ‘Rama 2’ është dubël me ‘Rama 1’. Në qeverinë e parë të tij, kryeministri kishte ndërtuar strategjinë ‘pak jashtë PS, pak brenda PS’. Atëherë ndërtoi strategjinë e koduar “Rilindja” të cilin e konsumoi brenda pak kohe. Në fund të mandatit, “Rilindjen” ia shiti Opozitës PD, e cila ndryshoi vetëm emrin: Nga ‘Rilindje’- në “Republikë e Re”. PD e bleu kodin të falimentuar. Megjithatë, sot mund të thuash se Rama e ndërtoi qeverinë si dubël të fillesave të veta “Rilindje” dhe mbaresave të PD: “Republikë e Re”. Kësaj here ka shkurtuar numrin e ministrive, duke i ngjeshur, por njëkohësisht ka gjetur disa figura që ‘nuk i njeh njeri’, dhe disa të tjera ‘që i kanë ardhur në majë të hundës’. Pandeli Majkon- një themelues të PS dhe kryeministër, e uli në ministër. Kjo është thuajse ironike. Por jo vetëm kaq: Si Majko,deri te emri më i panjohur- të gjithë janë zgjedhur nga ata që “nuk bëjnë zë” edhe sikur të shembet godina e qeverisë. Të gjithë ministrat janë zgjedhur shumë të kontrollueshëm nga kryeministri. Domethënë një kopje e qeverisë “Rama 1”.
E dyta, ‘Rama 2’ është dubël i Bashkisë së Tiranës ku qeverisi zoti Rama më shumë se një dekadë. Bashkia është dubluar dyfish: Në njërën anë si Bashkia ku ishte Rama, dhe në plan të dytë- si Bashkia ku qeveris Veliaj. Kryeministri Rama ka rekrutuar si ministra një pjesë të mirë, ose pjesën më vitale, nga nëpunës të Bashkisë; ose të profilit të nëpunësit të Bashkisë. Vetë zëvendëskryeministrja Mesi është një aktiviste e Bashkisë. Dhe jo vetëm kaq: Ajo ka deklaruar se pasioni i saj është ‘pushteti vendor’, jo qeveria qendrore. Edhe ministre e Shëndetësisë është nga Bashkia e Ramës… Strategjia për ta lidhur Qeverinë me konceptin “Bashki” është një ide që e ushqen qeverinë me populizëm. Ndërkohë kjo mënyrë është zgjedhur edhe për të dëshmuar një ‘qeveri të profilit të ulët’, dmth., ministra vulnerabël, ekip i menaxhueshëm, por nga ku shquhet ‘lartësia’ e njëshit…
… Ndoshta është kohë për të kujtuar kur Rama ngrinte dy gishtat, kur vinte trëndafilin mes të dyve, kur thoshte “Votoni një- sa për dy’. Ja ku jemi në qeverinë “Dubël” .
Veritas.com.al/