‘Liria e shkeljes së etikës brenda konferencave të mia nuk mund të legjitimohet!’ Kjo është përgjigja e kryeministrit Edi Rama pas kritikave që shkaktoi vendimi i tij, për të përjashtuar për 3 muaj, nga konferencat e tij, gazetarin Klevi Muka.

Në reagimin e tij kreu i qeverisë thotë se është tërhequr nga përpjekja për të normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes në epokën e rrjetet sociale, e cila ka marrë përmasa katastrofike dhe këtë e ka bërë si një reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim. Por shton kreu i qeverisë, ky vetërregullim nuk ka ndodhur dhe as legjitimimi i lirisë së shkeljes së normave etike në praninë e tij nuk ka për të ndodhur.

Megjithëse asnjë gazetari të asnjë mediaje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri, shton kryeministri Rama, sipas tij janë shtuar shpifjen e ëshë ulur rankimi. Në mbyllje të fjalës së tij, Rama përsërist sërish se askush nuk do të ushtrojë publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës.

‘E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s’mund të plotësohet. Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim.

Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë! Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave. Por ja që asgjë s’ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi! Si përfundim: Shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë “plaç”, po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur!- shkruan kryeministri Rama.

Pak ditë më parë në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, gazetari pyeti këtë të fundit nëse e ka takuar bashkëshortin e saj, investitor strategjik, në prani të dy anëtarëve të administratës, siç e parashikon kodi i ri etik apo e ka thyer kodin e ri i cili parashikon sanksione deri në largim nga puna. Kjo për kreun e qeverisë u cilësua si shkelje etikës, dhe çoi gazetari për ‘3 muaj në riedukim’.