Më herët, Ambasada e SHBA me anë të një mesazhi ka informuar gjithë qytetarët amerikanë që jetojnë në Tiranë për protestën e nesërme.
Në mesazhin e Ambasadash thuhet se qytetarët duhet të bëjnë kujdes në zonën ku do të grumbullohen protestuesit. Ajo që bijë në sy në mesazhin e SHBA është se protesta e orës 11:00 etiketohet si e thirrur nga Partia Demokratike dhe jo nga shoqëria civile.
Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) i ka kërkuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara që të korrigjojë deklaratën ku thotë se protesta kundër importit të plehrave organizohet nga partia opozitare.
Përmes një statusi në Facebook, AKIP thotë se: “Lidhur me njoftimin zyrtar të Ambasadës Amerikane për marshim-protestën e ditës së nesërme kundër importit të plehrave, i bëjmë me dije Ambasadës Amerikane se autorësia e kësaj proteste i takon Aleancës Kundër Importit të Plehrave, AKIP, që është një grupim vullnetarësh qytetarë dhe ojf-sh. Leja për protestën e nesërme është dërguar nga AKIP. I kërkojmë menjëherë Ambasadës Amerikane të korrigjojë tekstin pasi sipas njoftimit të saj, kjo protestë organizohet nga opozita”.
Nga ana tjetër, shënimi për qytetarët e SHBA thotë se protesta organizohet kundër importit të mbetjeve jo të rrezikshme.