Disa banorë të zonës, ku ndodhi shpërthimi i fortë në Lushnje, kanë rrëfyer detaje për ngjarjen e rëndë. Ata e kanë përshkruar shpërthimin si një tërmet, ndërsa thonë se kanë pësuar dëme të shumta materiale.

“U tromaksëm të gjithë, as bukë nuk kemi ngrënë. As gjumi nuk na zë. 30 vjet djali në Greqi, e ka ndërtuar këtë shtëpi me mund edhe me djersë. Mbaroi ndërtesën, ka hyrë në kredi. Këta kam, shteti të na ndihmojë se neve çfarë na ka gjetur nuk di. Bombola plasi si tërmet.”, u shpreh një banore.

“Shpërthimi ishte i fuqishëm si tërmet. Kur dolëm më pas, ishte tym dynjaja.”, tregoi një tjetër. Kujtojmë që nga shpërthimi i fuqishëm mbetën të vdekur babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha. Teksa po punonin me vinç, prekën aksidentalisht telat e tensionit të lartë, duke shkaktuar shpërthimin e bombolës me oksigjen.
Shpërthimi rezultoi fatal për ta ndërsa të plagosur mbetën 7 persona, mes të cilëve deputeti Bujar Çela.