Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi u shpreh se ky vit ka qenë i mbarë për sektorin e turizmit në Shqipëri. Gjatë intervistës në “Sheshi i Dollarit”, Topuzi thotë se ky trend në rritje i numrit të turistëve ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, ndërsa vendin e parë e kryeson marketingu i mirë që i është bërë Shqipërisë.
Referuar statistikave dhe shifrave, ai thotë se këtë vit numri i turistëve që kanë ardhur në Shqipërinë është rritur me 30 %, krahasuar me vitin 2022.
“Ka qenë një situatë e paparashikuar për turizmin në Shqipëri. Sigurisht që ka qenë një PR shumë i madh për Shqipërinë, qoftë nga rrjetet sociale, por edhe karizmi i kryeministrit shqiptar, i cili ka artikuluar Shqipërinë në të gjitha takimet ndërkombëtare, por edhe figurat e artit kanë ndihmuar për të krijuar një ide që Shqipëria është një vend për t’u vizituar. Kjo ka bërë që pothuajse përgjatë gjithë vitit të kemi prurje interesante dhe flasim për 30% më shumë turistë se një vit më parë, i cili mbahet si një vit i mirë i turizmit”, tha ai.
Ai shton se Shqipëria nuk duhet të reklamohet thjesht si një vend i lirë, por si një destinacion që duhet vizituar me patjetër.
“Ka qenë një risi e veçantë e këtij PR që është bërë për Shqipërinë. Nuk duhet të reklamohet si një vend i lirë, por të reklamohet si një vend për t’u vizituar.Kjo ka bërë që edhe një pjesë e kontingjenti “Z”, pra që është rinia, kanë ardhur për ta vizituar Shqipërinë, por janë turistë që nuk kanë të ardhura dhe vijnë me pak shpenzime. Në fund të fundit është një gjë pozitive, sepse ne nuk jemi vend që ofrojmë standarde për turizmin elitar”, tha ai.
Duke analizuar trendin dhe mënyrën si po zhvillohet sektori i turizmit në rajon dhe Evropë, Topuzi tha se Shqipëria duhet të përgatitet për të ofruar një turizmi afatgjatë, që shkon përtej sezonit veror.
“Duhet të kemi një kombinim te të gjithë llojet e turizmit, duke kaluar haP pas hapi në turizmin e mesëm dhe më pas drejt atij elitar. Që turizmi do jetë industria më e rëndësishme e këtij dhjetë vjeçari kjo s’ka dyshim. Ky sinjal është dhënë në vitin 2018 dhe Shqipëria duhet të përgatitet për një fluks në rritje të turizmit. Ne duhet të përgatitemi seriozisht. Turizmi është kthyer në mënyrë jetese dhe ne duhet të përgatitemi për një turizmi me një afat të gjatë, që duhet ta shtrijmë”, tha ai.
Ajo që duhet konsideruar e veçantë sipas Topuzit është fakti se në vend kanë ardhur turistë të të gjitha llojeve, duke nisur nga deti e deri tek ata që zgjedhin të shijojnë bukuritë mahnitëse të maleve dhe bjeshkëve tona.
“Nuk kemi pasur vetëm turistë të rërës dhe detit, por kanë përdorur të gjitha llojet e turizmit nga jugu në veri dhe kjo e bën që ne duhet të ndjekim strategji të caktuara, që të gjithë territorin e Shqipërisë ta kthejmë në një destinacion të madh për të plotësuar të gjithë llojin e turizmit, për të gjitha moshat”-u shpreh Topuzi.