Kështu shprehet drejtori i Përgjithshëm i “Excelerate”, Steven Kobos, në një intervistë për “Bloomberg”.
Kompania amerikane e gazit natyror të lëngshëm “Excelerate Energy Inc.” pritet të furnizojë termocentralet lundruese në Shqipëri.
Referuar marrëveshjes për centralet lundruese, Kobos shpreson që ajo do të çojë në mundësinë për të ofruar gaz natyror dhe për të shitur LNG-në në Evropë.
“Excelerate” do të sigurojë anije që do të gjenerojnë energji elektrike dhe do të forcojnë rrjetin në Shqipëri.
Njëkohësisht, kompania po punon me “Exxon Mobil Corp.” për të zhvilluar një projekt të LNG-në-energjisë në portin shqiptar të Vlorës.
Evropa po kërkon të diversifikojë furnizimet me gaz natyror për të ulur varësinë energjetike nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës.
Administrata Biden po planifikon të eksportojë 15 miliardë metra kub gaz shtesë në Evropë këtë vit.
Çdo rritje e konsiderueshme e furnizimeve me LNG pasohet nga një rritje e infrastrukturës në Evropë.
“Excelerate” grumbulloi 384 milionë dollarë në një ofertë publike fillestare gjatë 12 prillit.
“Një pjesë e të ardhurave planifikohet të përdoret për projektin e Vlorës”, shkruan Bloomberg në përmbyllje.
Memorandumi
Më 17 mars të vitit 2021, gjigandi amerikan “ExxonMobil”, i cili është kontraktori i “Excelerate Energy”, do të nënshkruante një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me qeverinë shqiptare.
Në të përfshihej edhe zhvillimi i një projekti të gazit natyror të lëngshëm në Portin e Vlorës.
LNG-ja do të sillte një larmishmëri të energjisë së rinovueshme dhe të përballueshme në portofolin e furnizimit me energji elektrike të Shqipërisë.
Kjo, pasi vendi ynë mbështetet në energjinë hidrike, e përhapur si praktikë dhe në rajonin e Ballkanit.
Sipas MoU-s, “Excelerate” do të kryejë fillimisht një studim eksplorimi, mbi potencialin e një zgjidhjeje të integruar të gazit natyror.
Studimi mund të përfshijë zhvillimin e një terminali importi, ku do të bëhet konvertimi ose zgjerimi i termocentralit ekzistues të Vlorës.
“Ndërsa Shqipëria kërkon të përmirësojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e energjisë, ne kemi besim se LNG-ja do të siguronte rinovueshmëri në rrjetin energjetik të vendit, duke plotësuar burimet e ripërtëritshme me ndërprerje dhe burimet alternative”, do të deklaronte Kobos një vit më parë.
Fillimi i punës së TEC-it është parashikuar në vitin 2023.
“ExxonMobil” nga ana tjetër do të ketë si detyrë identifikimin e mundësive, për të mbështetur furnizimin e LNG-së në Shqipëri.
Të njëjtin fakt përsëriste kryeministri shqiptar Edi Rama në tetor të vitit 2021.
Rama pohoi se Shqipëria po bashkëpunon me SHBA-të, për futjen e gazit të lëngshëm në Shqipëri.
Kjo do të mundësojë edhe një kalim të mundshëm në të ardhmen të TEC-it të Vlorës, me lëndë përpunuese gazin.
Kështu, duke minimizuar varësinë nga klima dhe natyra për prodhimin e energjisë.
Mbështetja në hidrocentrale
Shqipëria, edhe pse ka tetë sisteme kryesore lumenjsh, mbështetet te hidrocentralet.
Këto të fundit, mund të bëhen jofunksionale në kohë thatësire, për të furnizuar me energji gati 3 milionë banorë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku, do të shprehej kohë më parë se diversifikimi i furnizimit dhe rritja e sigurisë së furnizimit janë thelbësore për Shqipërinë.
“Ne jemi të bindur se LNG-ja mund të jetë çelësi për arritjen e këtyre objektivave strategjikë dhe për t’i dhënë përfundimisht një zgjidhje projektit kompleks të Vlorës, duke zgjedhur partnerët më të mirë të pajisur për të afruar një projekt të një madhësie të tillë”, theksonte zyrtarja shqiptare.
Si një nga ofruesit kryesorë të zgjidhjeve për rigazifikimin LNG, “Excelerate” ka zhvilluar dhe operon në 13 terminale të gazit natyror në të gjithë botën.