Eliza Gjediku
Shqipëria ka ndihmuar Kosovën me energji elektrike duke bërë të mundur që të mos nisë ndërprerja e furnizimit për konsumatorët. Korporata elektroenergjetike Shqiptare ka depozituar në rrjet sasinë e nevojshme të energjisë që kërkonte Kosova për të shmangur ndërprerjet. Aktualisht kërkesa për konsum në Kosovë është deri në 750 megavat në ditë, ndërsa prodhimi është rreth 507 megavat.
Kjo ndihmë u dha në kuadër të marrëveshjes së depozitimit të energjisë që ka Shqipëria me Kosovën, që në momente emergjence të ndihmojnë njëra-tjetrën. Po ashtu edhe në momentet kur secili shtet prodhon më shumë sesa është kërkesa për konsum, tepricën e depozitojnë në rrjet. Në respektim të kësaj marrëveshje, KESH sqaron për Report TV se për shkak të kushteve të emergjencës energjetike në Kosovë, sot i është dhënë një sasi energjie për të parandaluar ndërprerjen e energjisë, pasi ka pasur prodhim. Ndërsa në ditët që Kosova ka pasur prodhim të lartë nga TEC-et e ka depozituar në rrjet duke ndihmuar Shqipërinë.
Ndërsa për ditët e ardhshme Ministria e Financave e Kosovës, thekson se po punojnë për të garantuar furnizim me energji elektrike për konsumatorët. Për shkak të krizës globale të energjisë, Kosova mori vendimin që të ndërpriste dritat në fasha të caktuara orari kur prodhimi nuk plotësonte dot kërkesën.
Shqipëria dhuroi energji për Kosovën edhe në prag të ndërrimit të viteve, me 7,680 megavat për datat 31 dhjetor 2021 dhe 1 janar 2022, me mirëkuptimin që kjo sasi do i kthehej vendit gjatë verës kur është periudha e thatësirës. Kjo për shkak se Kosova e ka prodhimin kryesisht nga Termocentralet dhe vetëm 6% nga burimet e tjera, dhe ka prodhim të vazhdueshëm edhe në verë, por këtë vit tre TEC-e kanë qenë në remont, ndërsa Shqipëria nivelin më të mirë të prodhimit e ka në dimër për shkak të reshjeve duke qenë se prodhimi ynë është kryesisht hidrik përmes HEC-eve.