Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka bërë thirrje duke shpalosur qëndrimin zyrtar të Italisë, për ndarjen e rrugëtimit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, nëse integrimi evropian i Shkupit has në pengesa dhe vështirësi.

Vetëm disa ditë pas heqjes së vetos bullgare, por ende në ngërç për shkak të komplikimit të bisedimeve dhe pranimit reciprok të dy vendeve të propozimit francez për bisedime, vjen kjo deklaratë e kreut të Qeverisë italiane, e cila sjell një dritë shprese për Tiranën zyrtare, në gjetjen e mbështetjes nga një vend i fuqishëm evropian.

Këtë qëndrim të Romës, Draghi ua ka paraqitur edhe homologëve të tij gjatë takimit të fundit që ka kryer Këshilli i Evropës, duke nënvizuar të qenit të hapur ndaj një versioni ku Tirana shkëputet nga Shkupi, sa u përket negociatave.

“Një nga efektet e mbledhjes së djeshme, ka qenë ai i shmangies së vonesave në integrimin e Ballkanit Perëndimor”, shpjegoi Draghi. “Kjo nga një anë do të thotë se dy vendet duhet të nxisin reformat, por nga ana tjetër, edhe që unioni duhet t’i ndihmojë në këtë rrugëtim”.

Një frustrim karshi vetos bullgare nuk është vënë re vetëm në Shkup sipas kryeministrit italian, por edhe në Tiranë, me qëndrimet e fundit të Edi Ramës, të cilat janë cilësuar edhe si të ashpra në disa çaste, pas samitit mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Një propozim i presidentit francez, Emmanuel Macron, është pranuar nga pala bullgare. Mirëpo, tashmë, nga ana tjetër, qëndron një hezitim i Shkupit, për kushtet e vendosura në këtë propozim.

Në një rrafsh të tillë, nuk kuptohet nëse kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, do ta pranojë apo jo direktivën e Macronit për bisedime me Bullgarinë.

Vetë situata në Sofje ndërkaq, është tejet e ndërlikuar, pasi politikisht i gjithë vendi ndodhet në ngërç.

Qeveria e kryeministrit Kiril Petkov ka rënë dhe menjëherë më pas, nga ana e opozitës bullgare, u votua heqja e vetos.

Mirëpo, bisedimet për ekzekutivin e ri ende nuk janë mbajtur dhe vendi, mund të shkojë edhe në zgjedhje të parakohshme në gusht, ku rrjedha politike mund të ndryshojë plotësisht.

Nëse vendet e tjera të unionit do ta dëgjojnë fjalën e Draghit për shkëputjen e Shqipërisë, kjo nuk dihet.

Por, të paktën, miqtë përtej detit po i gjenden pranë Tiranës në këtë mënyrë.