5199 qendra votimi janë hapur për 3 milionë e 588 mijë e 869 shqiptarë të cilët do të zgjedhin 140 parlamentarët e rinj. Kanë votuar që në minutat e para Presidenti i vendit, Ilir Meta, dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Gjithashtu edhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka votuar në qendrën e tij të votimit te Liceu Artistik. Ndërkohë që kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka votuar në Njësinë nr. 8 në Tiranë.
Është vënë re një pjesëmarrje e lartë e shqiptarëve në votime. Sipas raportimeve zyrtare nga KQZ problematika e vetme e hasur deri më tani ka të bëjë me pajisjet e leximit të kartave të identitetit. Në disa qendra votimi në disa qarqe të vendit procesi diku është bllokur, diku po vijon manualisht për shkak të këtyre problemeve. Ndërkohë që nga 5199 qendra votimi u ndërpre vetëm në atë të Lekbibajt në Tropojë por më pas rifilloi.
Ndërkohë që KQZ ka njoftuar se në disa zona të thella nuk ka pasur operatorë për pajisjen e identifikimit elektronik, kjo edhe për shkak të infrastrukturës së vështirë. Sipas saj përdorimi i pajisjes së identifikimit deri më tani nuk ka funksionuar në rreth 100 qendra votim ku votimi vijon me metodën tradicionale.
Nga ora 7:00 deri në 19:00 kutitë e votimit qëndruan të hapura për të gjithë ata që do të duan të zgjidhin ligjvënësit e katër viteve që vijnë. Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë, ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme
107 mijë e 024 do të jenë të rinjtë që votojnë për herë të parë ndërkohë që 1,098 persona nuk mund të votojnë për shkak të ligjit të dekriminalizimit.Për herë të parë futen në garë në një palë zgjedhje të përgjithshme, disa forca të reja politike si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit apo edhe 3 kandidatët e pavarur që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje.
Për herë të parë pas zgjedhjeve të vitit 2005, shqiptarët do të mund të votojnë përveç partisë dhe kandidatin që preferojnë, në një fletë votimi të vetme ku vendoset shenja te partia por edhe të numri i kandidatit përkatës. Për herë të parë në këto zgjedhje aplikohet teknologjia në zgjedhje, përmes identifikimit biometrik. Kjo. Ndërkohë që, përmes një projekti pilot, në KZAZ Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, do të bëhet votim dhe numërim elektronik. Votuesit do të votojë në pajisjen elektronike si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin preferencial.
Në përditësim…