Shtëpia e Bardhë ka nisur një program gjurmimi për të analizuar çdo javë mediat. Artikujt që kritikojnë administratën e Trumpit klasifikohen si “gënjeshtër” ose “paragjykim”.
Shtëpia e Bardhë ka hapur një nënfaqe të re në faqen e saj të internetit “Shkelësit në media”. Në të renditen faqet e lajmeve, gazetarët dhe historitë që pretendohet se kanë mashtruar publikun.
Publikimet kryesore të konsideruar si “shkelës në media të javës” ishin Boston Globe, CBS News dhe Independent. Gazetarët e këtyre mediave konsideruan si shkelës për historitë që kishin publikuar rreth një videoje të publikuar javën e kaluar nga gjashtë deputetë demokratë. Deputetët, të gjithë veteranë të ushtarisë ose ish-zyrtarë të shërbimeve sekrete, u kujtuan punonjësve të këtyre shërbimeve se nuk janë të detyruar të ndjekin urdhra të paligjshëm.
Në një video të postuar javën e kaluar në internet, deputetët thanë: “Sot, kërcënimet ndaj Kushtetutës sonë nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda nesh.” “Ligjet tona janë të qarta: ju mund t’i refuzoni urdhrat e paligjshëm. … Ju duhet t’i refuzoni urdhrat e paligjshëm. Askush nuk është i detyruar të zbatojë urdhra që shkelin ligjin ose Kushtetutën tonë”, shtuan ata. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i quajti veprimet e deputetve si “kryeneçësi” dhe “tradhti”.
Si duket faqja ‘shkelësve në media’
Faqja përmban një “sallë turpi për shkelësit” me një listë historish që Shtëpia e Bardhë i konsideron si të pavërteta.
Çdo histori shpjegohet dhe klasifikohet në kategori të tilla si “gënjeshtër”, “mungesë konteksti” ose “lajthitje e majtë”.
Shtëpia e Bardhë tha se faqja është “një regjistër historish të rreme dhe mashtruese të medias të konstatuara nga Shtëpia e Bardhë”.
Faqja gjithashtu përmban një tabelë ku renditen faqeve e mediave për të cilat administrata pretendon se kanë raportuar në mënyrë jokorrekte. The Washington Post kryeson listën, e ndjekur nga MSNBC (e riemërtuar së fundmi si MS NOW), CBS News, CNN, The New York Times, Politico dhe The Wall Street Journal. Ekziston gjithashtu një seksion me media që sipas administratës së Trumpit janë “shkelës të përsëritur të ligjit të mediave”./ dw
Komente