Nga L. Skiroi/

Ka disa ditë, që nga nisja e vizitës së kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, që janë ngjallur diskutime, debate dhe pikëpamje të ndryshme mbi rolin e Shqipërisë ndaj Kosovës në raport me Serbinë.
Fillimisht, gazetari dhe politikani, Berat Buzhala, shkroi duke i kërkuar me nerv kryeministrit të Shqipërisë se “në takimin me Vuçiç (kryeministër i Serbisë), mos fol në emrin tim”. Ideja është se Kosova dhe kosovarët janë “ngopur” me fluturimet Tiranë- Beograd, mbi kokat e kosovarëve, për të biseduar mbi çështjene kosovarëve.
Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se “nuk i duhet Kosovës” kjo ndërhyrje e Shqipërisë. Ministri i Jashtëm tha se Kosova nuk pret ndërmjetësi nga kryeministri shqiptar për bisedimet me Serbinë.
Ministri mori shkak për të folur rreth kësaj çështjeje, nga ndërhyrjet e Edi Ramës në biseda me Vucic, herë me batuta e herë me nivel publicistik, duke krijuar imazhin se qeveria e Shqipërisë mund të bëhet garant në Kosovë që “punët mes tyre të shkojnë mirë”. Gati- gati kryeministri nga Tirana tha se “na thoni, të dashur serbë, na thoni ne se i pajtojmë kosovarët sipas vijës së vëllazërisë”.
Por ministri i Jashtëm i Kosovës, nuk e lejoji që kjo të kalojë si nën qilim. Ai tha publikisht se “Shqipëria nuk është një faktor global, Shqipëria është një shtet sovran si edhe ne. Faktorë globalë për Kosovën, që garantojnë bisedimet Kosovë- Serbi janë Shtetet e Bashkuara dhe bashkimi Europian”.
Ngatërresat që bëri kryeministri Rama gjatë qëndrimit në Beograd kanë pasur reagime të shumta nga politikanë, gazetarë e shkrimtar në Kosovë. Nuk dihet ende se si BE mund t’i ketë pritur “batutat alias Rama”, të cilat në shumicë të tyre shkelin parimet perëndimore të mëvetësisë së shteteve dhe diplomacisë së kohës.
Po kaq saktë dhe prerazi ka reaguar edhe një nga gazetaret më të njohura në Kosovë, Arbana Xhavarra, kryeredaktore e gazetës Zëri i Kosovës.
“Edi Rama politikën e jashtme e bën për shou personal, për t’u treguar liberal, njëlloj paranteze për t’u dalluar nga liderët nacionalistë ballkanikë- shkruan Xhavarra.- Ai nuk po arrin të lirohet nga ndjesia e inferioritetit, ndaj haptazi po e manifeston kompleksin karshi liderëve të Ballkanit Perëndimor”.
Më poshtë gazetarja shkruan:
“Duket se pos për luftën e fundit, Rama s’ka haber për zhvillimet në Kosovë. E më e keqja, po shpresoj nga mosdija, Rama unifikohet në diskurs me Vuçiqin në raport me Kosovën”.
Gjithë shkrimet dhe pikëpamjet mbi raportin Tiranë- Prishtinë në marrëdhënie me të tretin, sidomos me Serbinë, e trajtojnë qeverinë e Shqipërisë jo në pozita të “paterit” mbi Kosovën.
Diplomacia e Shqipërisë ka rënë shpesh në kurthin e diplomacisë së Serbisë, e cila i është drejtuar Tiranës “haj pra, flisni pak me Kosovën”. Dhe këtë e ka bërë Tirana, sa nga pozita megalomanie, aq edhe për të fituar elektorat në zgjedhjet politike të radhës. Në vend që të humbin elektorat kur bëjnë idiotësi kombëtare dhe diplomatike. E pra një rol i tillë që merr “pateri” Tiranë, do të thotë për diplomacinë e Serbisë dhe të Europës se “nuk ka Kosovë të mëvetshme, jemi ne baballarët e saj”.
Edhe kësaj here, si edhe në vizitat e tjera në Beograd, kryeministri Rama ka përsëritur “keqardhjen” ndaj Kosovës se “flas unë për ata, Kosova nuk ëhstë anëtare e Kombeve të Bshkuara”. Jo, nuk mund të shkojë ky qëndrim, është krejtësisht në kundërshtim me sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe me skemat perëndimore për krijimin e këtij shteti të ri në Ballkan.
Politika serbe, asnjëherë nuk e pret keq, frazën që thotë Rama se “Kosova kjo ëhstë, nuk ëhstë anëtare e OKB”. Me këtë pajtohen serbët, sepse pajtohn me idenë se “Kosova është shtet i cunguar”, si të thuash dikush që është ulok e nuk ecën me këmbet e veta.
Por sa dëm i bën kjo Kosovës?! Sa së prapthi i katandis principet perëndimore për krijimin e shtetit të Kosovës dhe tërë luftën që u zhvillua në këtë drejtim. Më tragjike është perceptimi i të ardhmes së Kosovës sipas këtij vështrimi. Del që shteti më i ir të marrë pak diell, të vaditet pak, të mos marrë diell ose të mos zhvillohet, si të ketë dëshirë Tirana dhe Beogradi.
Sipas kësaj Kosova është një bijëz e ledhatuar e “pater-it”, Tiranë.

/Veritas.com.al/