-Ermal Hoxha ka shprehur dëshirën që të lirohet nga burgu me kusht që pjesën e mbetur të burgut ‘të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës”…

Zbardhet vendimi i cili liroi nga burgu, nipin e Enver Hoxhës, Ermal Hoxha.

Më datë 13 shtator është firmosur vendimi i cili mban firmën e gjyqtarit të Gjykatës së Fierit, Piro Sota.

Sipas vendimit trupi gjykues ka pranuar kërkesën e Ermal Hoxhës për pezullimin e ekzekutimit të pjesës së mbetur të dënimit, me kusht që gjatë një afati prove të barabartë me pjesën e mbetur të dënimit, ai duhet të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Nipi i diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha u arrestua gjatë operacionit në Xibrakë dhe mori dënimin me 6 vite e 8 muaj burg për trafik narkotikësh mbetur në tentativë.

Ermal Hoxhës ndër të tjera i kërkohet që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të inkriminuar. Hoxha po ashtu ka për detyrë te paguajë të gjitha shpenzimet proceduriale, që në vendimin e lirimit janë përcaktuar si 840 lekë.

Veritas.com.al/