Territori i Bashkisë së Shkodrës duket se po shkon drejt normalizimit të situatës së krijuar nga reshjet dhe përmbytjet e ditëve të fundit. Sipas raportit të vëzhgimit të bashkisë, mëngjesin e së mërkurës, sipërfaqja e tokës së përmbytur në 5 njësitë administrative është ulur në 1435 hektarë nga rreth 2mijë hektarë që ishte në kulmin e përmbytjeve.

Ndërsa edhe nivelet e liqenit të Shkodrës dhe lumit Drin, janë ulur nën kuotat maksimale të tyre. Një pjesë e familjeve të evakuuara kanë nisur rikthimin në banesat e tyre, ndërsa raportohet që nën prezencën e ujit është vetëm një banesë, në lagjen Ajasem të Shkodrës.

 Përmirësimi i situatës pritet të vijojë edhe në orët në vijim, pasi favorizohet edhe nga moti që parashikon ulje të nivelit të reshjeve. Një tjetër qark i goditur nga përmbytjet e ditëve të fundit ishte edhe ai i Lezhës, ku dalja nga shtrati i lumit Gjadër ka krijuar problematika për banorët e zonës.

Nga të dhënat e fundit rezulton se rruga që lidh fshatin Blinisht vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit në trupin e rrugës. Ashtu sikurse është e pakalueshme nga mjetet e vogla edhe rruga e fshatit Piraj.

Në njësitë administrative të qarkut të Lezhës janë nën ujë rreth 1300 hektarë tokë, ndërsa nivelet e lumenjve Drin, Gjadër dhe Mat janë nën kuotat e tyre kritike.

 Ndërkohë gjatë orëve të fundit reshjet e shiut kane shkaktuar problem edhe në qarkun e Gjirokastrës, ku lumenjtë kanë rritur prurjet, por pa shkaktuar përmbytje.

Ndërsa furnizimi me energji elektrike në disa dhjetëra fshatra të qarkut të Gjirokastrës është ndërprerë si pasojë e defekteve në linjat e transmetimit.

 Të njëjtën problematikë me furnizimin me energji elektrike kanë patur edhe fshatrat në juglindje të vendit në qarkun e Korçës, ku era e fortë ka krijuar shkëputje të linjave të transmetimit.