Situata e përmbytjeve në vend vijon të jetë kritike në disa zona.
Situata në lumin Vjosa ka ardhur duke u normalizuar, pasi ka hyrë në shtrat. Në Shkodër ka një përkeqësim të situatës, pasi ka 1100 hektarë më shumë të përmbytura se sa ditën e djeshme. Gjithashtu ka reshje të dendura e temperatura të ulura.
Sipas korrespodentit, lumi Buna ka dalë përtej shtratit dhe zona e Obotit është problematikja. Sipërfaqja totale e përmbytur nga reshjet e shumta të shiut në Shkodër është 1595 hektarë, ndërsa rritet me rreth 10 cm niveli i lumit Drin dhe Buna. Fatmirësisht ka një situatë normale në Fierzë dhe Koman.
Në Lezhë situata vijon të jetë problematike, ku janë evakuuar 28 familje të cilët një pjesë janë strehuar në hotele. Gjithashtu do të evakuuohen edhe familje të tjera pasi në disa banesa ka prezencë të ujit dhe rrëshqitje të dherave.
Ndërsa në aksin Rrabosht- Kallmet të Lezhës si pasojë e reshjeve intensive ka pasur rënie të rrugës në një pjesë të saj.
Në zonën e Gjirokastrës lumi i Drinos është rikthyer në shtratin e tij, ndërsa një pallat 5- katësh rrezikon rrëshqitjen.
Në qarkun e Korçës, gjatë natës ka pasur reshje shiu me intesitet të dobët deri mesatar, deri 25 mm shi si dhe erë të cilat kanë shkaktuar në disa zona ndërprerje të energjisë elektrike, si në fidrat nr 3 dhe 4 në qytetin e Ersekës, në fidrin e Cangonjit, si dhe në linjën e Vithkuqit, zona e Lekasit.
Aktualisht reshjet po vijojnë edhe në Bulqizë, për pasojë rruga që lidh dy lagjet e qytetit vijon e bllokuar duke pësuar edhe ulje të tokës.
Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjitha të hapura e të kalueshme nqarkun e Elbasanit dhe fatmirësisht situata nuk është problematike.
Vendi ynë është përballur me reshje të shumta shiu që kanë sjellë përmbytje në shumë qytete të vendit, ku situata më e rënduar ka qenë në Shkodër dhe Vlorë.