Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes dhe e Financave dhe Ekonomisë kanë firmosur ndalimin, me një urdhër, të hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.
Në urdhër përcaktohen masat dhe hapat që do të ndërmerren për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil nga publiku i gjerë.
Në urdhrin e përbashkët të tre ministrave është specifikuar se artikujt që do të ndalohen të hidhen në treg janë:
– të kategorisë 2 (F2), përdorimi i të cilave në mjedise të hapura jashtë ndërtesave, kërkon një distancë nga 5 deri në 8 metër nga njerëzit dhe objektet;
– të kategorisë 3 (F3), përdorimi i të cilave në mjedise të hapura kërkon një distancë mbi 25 metër nga njerëzit dhe objektet.
Do të ndalohet prodhimi, importi, eksporti, magazinimi, shitja dhe përdorimi i të gjitha substancave piroteknike dhe fishekzjarrëve, të cilat në përmbajtjen e tyre kanë: squfur, fosfor të përzier me klorat potasiumi, klorate të tjera, apo që përmbajnë njërën nga përzierjet e tilla.
Sipas tre ministrive janë përcaktuar edhe detyrimet e institucioneve shtetërore për ndalimin dhe hedhjen në treg të këtyre produkteve. Komisioni i Dhënies së Licencave, pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në Ministrinë e Mbrojtjes, do të ndalojë prodhimin me qëllim shitjen për treg të brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil, të kategorisë 2 (F2) dhe të kategorisë 3 (F3).
Komisioni i Dhënies së Licencave gjithashtu do të rishikojë licencat e importit dhe prodhimit të cilat janë në fuqi, për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil, të kategorisë 2 (F2) dhe të kategorisë 3 (F3).
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të ndalojë importin e artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil në tregun e brendshëm të kategorisë 2 (F2) dhe të kategorive 3 (F3).
Veritas.com.al/