Nga Rajmonda Basha/ AP
Procesi zgjedhor për Forumin Rinor të Partisë Demokratike është i njëjti me atë të vitit 2015 me urdhër të kryedemokratit Lulzim Basha.
Në zgjedhjet e 2015-ës, Belind Këlliçi u zgjodh Kryetar i FRPD-së.
Dokumenti i kohës, i publikuar edhe në media, 6 vjet më parë, konfirmon standardin e ndjekur nga Kryetari i PD për zhvillimin e zgjedhjeve dhe riorganizimin e FRPD.
Njësoj si në zgjedhjet e kërkuara në këto momente, Basha ka shpallur nisjen e procesit të riorganizimit të FRPD, duke filluar me anëtarësimet e reja dhe duke vazhduar me zgjedhjet në të gjitha nivelet dhe strukturat e FRPD-së.
Lulzim Basha, deklaroi të shtunën e 6 nëntorit se në zgjedhjet e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), do zbatohet parimi një anëtar një votë, për të zgjedhur përfaqësuesit dhe kryetarin.
Basha i ka cilësuar sajesa për interesa personale akuzat se vendimi për zgjedhjet në FRPD vjen pasi kreu i kësaj organizate Belind Këlliçi ka deklaruar se do të marrë pjesë në “Foltoren” e Berishës.
“Jo nuk është aspak e vërtetë, sajesë e fabrikuar për interesa personale. Për herë të parë FRPD, nën drejtimin tim, ka zhvilluar zgjedhje me një anëtar një votë. Për fat të keq, prej dy vitesh mandati i kryetarit ka skaduar dhe sërish të rinjtë dhe të rejat do zgjedhin me një anëtar një votë kryetarin. Asgjë nuk mund të pengojë PD të zbatojë normat statutore të demokracisë”, tha Basha.
Kryedemokrati ka mbledhur paraditen e ditës sotme grupin e punës të ngritur për procesin e zgjedhjeve në Forumin Rinor të Partisë Demokratike.
Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga: Oriela Nebiaj, Hergert Alimerko, Dario Sejdini, Enkelejda Rica, Juela Hamati dhe Anita Doçi.
Kryetari PD-së, Lulzim Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.
Pas këtij vendimi, në një deklaratë për mediat, kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, e ka konsideruar nul vendimin e kryedemokratit, Lulzim Basha, për të zhvilluar zgjedhje brenda kësaj strukture.
Kështu ai ka dalë kundër vendimit të Bashës.
Vendimin e këtij të fundit, Këlliçi, e ka cilësuar “jashtë kompetencave”.
“Duke qenë se PD-ja është në krizë të thellë, e gjykojmë se nuk është momenti, që të uzurpohet Partia Demokratike. Unë gjithmonë kam dashur të mos humb as edhe një anëtar të PD, e jo më të fusim Partinë Demokratike në konflikt”, u shpreh ai.
Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4 vjeçar, ndërsa anëtarët e forumit mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.
Ky grup do të mbikqyrë mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit të anëtarësimeve, rifreskimit të të dhënave dhe zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe strukturat e Forumit Rinor.
Menjëherë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe riorganizimit, do të vijohet me zgjedhjen me 1 anëtar, 1 votë të kryetarit dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të FRPD-së në nivel qendror dhe lokal.
Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015. Kryetar i këtij forumi deri në këtë moment është Belind Këlliçi, deputet i zgjedhur në zgjedhjet e 25 prillit.