Kompania ajrore “Turkish Airlines” ka transportuar një kufomë para syve të pasagjerëve në fluturimin e datës 7 prill nga Stambolli për në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e Kohës Ditore’’, Salie Gajtani Osmankaq e cila ka qenë pasagjere në atë fluturim së bashku me familjen e saj, dhe fëmijët. Ajo thotë se e ka parë kur kufoma ka kaluar përmes pasagjerëve, e bartur nga disa burra, për ta vendosur më pas në fund të aeroplanit.

”Turkish Airlines dhe udhëtimi me kufomën e futur në aeroplan mbi kokat tona”, ka shkruar Gajtani Osmankaq, para pak minutash në profilin e saj në Facebook. “Kjo kompani turke, pa fije hezitimi ka bërë pjesë të udhëtimit edhe një kufomë (të mbështjellë vetëm me qefin, e jo të vendosur në arkivol), të cilën e kanë futur në bord, pasi që të gjithë udhëtarët zunë vendet e tyre. Derisa po prisnim të nisej aeroplani, pasi u mbyll bordi, për një çast hyn në aeroplan hynë 5 burra, të mbrojtur me jelekë dhe dorëza. Njëri na ta na kërkoi ne udhëtarëve të skajonim kokat, e 4 të tjerët bartnin pas tij kufomën me lese. Kufoma “udhëtoi” mbi kokat tona. E dërguan diku kah bishti i aeroplanit dhe ata që e sollën dolën nga bordi”, shkruan tutje ajo.

Ngjarja është konfirmuar për agjencinë e lajmeve KosovaPress’’ edhe nga drejtori i emergjencës në Qendrën Klinike Universitare, Basri Lenjani, i cili ka qenë po ashtu pasagjer. Ai ka treguar se ka qenë e pashmangshme të kuptohet lehtë se bëhej fjalë për një kufomë ‘ngase ajo është bartur pa arkivol dhe vetëm me mbështjellje’ pasi të gjithë pasagjerët janë ulur në vendet e tyre. “Duhet të shikohen ligjet dhe si është e lejuar për aviacionin kjo çështje por sinqerisht mënyra si ka ndodhur dhe në prani të fëmijëve të bartet ashtu thjeshtë është jo korrekte”, ka thënë Lenjani. KosovaPress ka mësuar se ndër pasagjerët kanë qenë edhe disa mjekë të tjerë të cilët po merrnin pjesë në një simpozium mjekësor në Turqi, si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri me bashkëshorten e tij. KosovaPress ka kontaktuar zëdhënësen e Aeroportit, Valentina Gara për të kuptuar nëse janë të njoftuar për ngjarjen, megjithatë, ajo tha se nuk ka informacion dhe se nuk kanë të drejtë të deklarohet në vend të kompanive ajrore. Një përgjigje rreth ankesave të pasagjerëve për këtë ngjarje, redaksia ka tentuar të marrë edhe nga Suad Abdullahu, menaxher në “Turkish Airlines” në Kosovë por nuk ka pranuar përgjigje. Kompania “Turkish Airlines” nuk është përgjigjur as në thirrjet telefonike në numrin zyrtar të publikuar në uebfaqen e tyre.

Veritas.com.al/