Gjatë një konference për shtyp së bashku me ministrin e Drejtësisë Petrit Vasili, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla tha se ’asgjësimi’ i drogës kryhet nga Policia ‘pa praninë e prokurorit’, që do të thotë se kryhet në fshehtësi.

“Ka sasi të mëdha kultivimi lëndësh narkotikike. Ky është problem tepër shqetësues. Ajo që është shqetësuese është që strukturat ligjzbatuese që kanë detyrë të kontrollojnë territorin, mbetet tepër i ulët zbulimi i kultivuesve”, tha kryeprokurori.

Llalla tha se një problematikë tjetër e rëndësishme është asgjësimi i lëndës narkotike që bëhet nga forcat e policisë. Kjo provë materiale, tha Llalla, në shumë raste bëhet ‘pa praninë’ e prokurorit në kundërshtim me ligjin.

Në këto raste, kryeprokurori paralajmëroi se do të ketë arrestime të oficerëve të policisë që në mënyrë të paligjshme asgjësojnë provat materiale pa praninë e prokurorit përgjegjës.

“Problematikë tjetër është administrimi i provave materiale. Lënda narkotike duhet të asgjësohet në prani të prokurorit. Kur ka dyshime që prova materiale asgjësohen në mënyrë të paligjshme, të fillojë hetimet ligjore dhe të vendosë para drejtësisë autorët”, tha Llalla.

/Veritas.com.al/