Gjeneral Bajram Begaj është kandidatura zyrtare e socialistëve për kreun e shtetit, që do të votohet nesër në parlament. Ishte kryeministri Rama që zbuloi emrin e presidentit të ri, duke e quajtur një kryetar shteti që rrezaton mirësi. Pas më shumë se 2 orë mbledhjeje, me celular të fikur, kryeministri Rama sqaroi për mediat se procesi i përzgjedhjes nuk ishte i rastësishëm.
‘Janë ndarë kandidaturat në 3 grupe, është përjashtuar menjëherë dhe nuk është futur në tavolinë blloku i propozuar nga brenda grupi parlamentar. Është hequr dhe blloku i kandidaturave që janë të gjithë gra dhe burra shumë të nderuar, por që i përkasin kësaj familje politike dhe kanë pasur aktivitet politik në PS se e kemi thënë dhe më parë.’- tha Rama.
Aktualisht Gjeneral Major Begaj mban postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërsa nuk është hera e parë që në krye të shtetit zgjidhet një ushtarak, më herët kanë mbajtur postin e kreut të shteti figura si Alfrd Moisiu dhe Bujar Nishani.
Procesi i zgjedhjes së presidentit ka kaluar në disa faza, pavarësisht përpjekjeve negociatat me opozitën për të gjetur një emër konsensual dështuan në tre raundet e para, ndërsa nesër, në një seancë të posaçme, pritet të zhvillohet Raundi i katërt për propozimin e mazhorancës për të cilën mjaftojnë vetëm 71 vota për ta miratuar.
Para se të shkojë në Kuvend, emri i Begajt do t’i dërgohet paraprakisht Grupit Parlamentar të PS, që do të mblidhet paraditen e së shtunës rreth orës 10:00 dhe nga ku do të mblidhen dhe firmat e nevojshme. Duhen të paktën firmat e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati për President të Republikës, që më pas do të depozitohen zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë.
Afati maksimal i përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve është ora 12:00 e 4 qershorit, ndërsa më pas, në orën 16:00 do të mblidhet komisioni i ligjeve, që do të shqyrtojë kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit të propozuar nga PS.
Kuvendi do të zhvillojë nesër një seancë të jashtëzakonshme plenare në orën 18:00 raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit të ri, teksa Partia Socialiste ka deklaruar se do t’i japin vendit Kreun e ri të Shtetit. Partia Socialiste i disponon votat për zgjedhur e vetme Presidentin e ri, pasi sipas Kushtetutës, në raundin e katërt dhe të pestë, ai mund të zgjidhet me 71 vota.
Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi më 29 prill 2017, ndërsa mandati i tij përfundon më 24 korrik.