Komisioni Europian pritet të rekomandojë sot zyrtarisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, por thekson se ‘korrupsioni mbetet mbizotërues’.

Raporti i cili duhet të bëhet publik sot pasdite, ka në qendër Reformën në Drejtësi, luftën kundër drogës, zgjedhjet e qershorit që kaloi, etj.

Sot  pritet të mbërrijë në kryeqytet shefja për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Raporti t’i dorëzohet sot kryeministrit Edi Rama nga ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin. Takimi mes Ramës dhe Vlahutinit është lënë në orën 16:30.

Axhenda:

Ora 16:30 Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin bashkë me kryeministrin Edi Rama do bëjnë publike raportin për hapjen e negociatave.

Ora: 17:30-18.00 Vlahutin pritet nga Kreu i Kuvendit Gramoz Ruci.

Nesër:

Takimet zyrtare te Mogherinit do të zhvillohen gjatë ditës së mërkurë, ku në orën 11:00, do të ketë një konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama.

Kryediplomatja e BE-së do të ketë takime edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

Komisioni Europian pret rezultate konkrete dhe të prekshme deri në qershor nga zbatimi i Reformës në Drejtësi.

Sipas KE, është zbatimi i Reformës që “ka çuar në një përparim të mirë të përgjithshëm” dhe veçanërisht procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve i cili “ka filluar dhe po jep rezultatet e para të prekshme”.

Por raporti thekson se “dënime të zyrtarëve të nivelit të lartë ndodhën kryesisht në gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë); megjithatë, shkalla e dënimeve përfundimtare për zyrtarët e lartë mbetet në përgjithësi shumë e ulët. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”, shkruhet në Raport.

Zëri i Amerikës shkruan se raporti njeh përparime dhe në luftën ndaj krimit të organizuar “sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit”, por kërkon që “të intensifikohet konfiskimi i pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe të vijohet me shkatërrimin e të gjithë sasive stok të kanabisit”.

Gjithashtu raporti vëren se “ka pasur pak përparim në shkatërrimin e grupeve kriminale të organizuara. Numri i dënimeve përfundimtare në rastet e krimit të organizuar ka mbetur shumë i ulët dhe është rritur vetëm pak. Nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar pastrimin e parave, pasuritë kriminale dhe pasurinë e pajustifikuar”. Shqipëria vlerësohet se “ka marrë pjesë me sukses në bashkëpunimin ndërkombëtar të policive, duke intensifikuar ndërveprimet e saj veçanërisht me vendet anëtare të BE”

Veritas.com.al/

 

Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini, e cila do të paraqesë raportin si dhe strategjinë e zgjerimit. Më 23 prill pritet që në Shqipëri të mbërrijë dhe Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk.