Sot, e martë, nis zyrtarisht procesi për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.
Enkelejd Alibeaj konfirmoi se opozita do të jetë pjesë e tryezës së Konferencës së Kryetarëve. Po nga opozita, do të jenë edhe Agron Gjekmarkaj, Fatmir Mediu, Mesila Doda dhe Grida Duma.
Opozita prezantoi pak ditë më parë një draft në të cilin parashikohet se si duhet bërë zgjedhja e kreut të ri të shtetit dhe si duhet vepruar në çdo raund, për të cilin pritet të diskutohet këtë të martë.
Edhe pse i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur e vetme kreun e ri të Shtetit, PS ka shprehur gatishmërinë për të dëgjuar në tryezë grupet e opozitës në parlament si edhe me shoqërinë civile.
Prej javësh është krijuar një “zhurmë” presidenciale me emra, propozime dhe supozime, por ende nuk ka një emër zyrtar si kandidat për t’i zënë vendin Ilir Metës, i cili përfundon mandatin në muajin korrik.