
Mesditën e 15 dhjetorit, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u morën disa vendime duke nisur nga rindërtimi dhe shpërblimi i fundvitit.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj, fill pas mbledhjes së Ministrave, bëri me dije se është miratuar një fond i ri për të shpejtuar procesin e rindërtimit.
“Janë akorduar rreth 3.2 miliardë lekë që bëjnë të mundur vazhdimin e rindërtimit”.

Ahmetaj theksoi se buxheti i shtetit me ndryshimet e veta dhe vendimi i dalë një javë më parë ka shkuar në 35 miliardë lekë për rindërtimin.
Një vendim tjetër ishte ai i paketës së solidaritetit për dëmshpërblimet e fundvitit. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se nga kjo do të përfitojnë pensionistët, familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe të gjithë personat që kujdesen për personat me aftësi ndryshe.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se fondi total i alokuar për këtë paketë është rreth 40 milionë dollarë.
Përkatësisht 3.5 miliardë lekë është paketa e miratuar për dëmshpërblimin e pensionistëve.
“Janë 668 mijë pensionistë që përfitojnë nga paketa dhe 400 milionë lekë sa i përket kategorive të tjera”, theksoi Ibrahimaj.
Manastirliu bëri me dije se janë 66 mijë familje që marrin ndihmë ekonomike dhe 72 mijë persona me sëmundje të ndryshme.

Gjatë ditës në Komisionin e Ligjeve, drejtoresha e përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Mimoza Dhëmbi, bëri me dije se shpërblimi për pensionistët do të jetë 5 mijë lekë ndërsa për familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara do të jetë 3 mijë lekë.
E fundit nga vendimet e Qeverisë ishte ajo e dëmshpërblimit të sportistëve elitarë – peshëngritësve.
Këtë e konfirmoi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila deklaroi se tanimë sportistët medialistë do të shpërblehen për çdo garë jo vetëm për dy, siç ka qenë më herët.

“Nga sot, të gjithë sportistët elitarë do të shpërblehen njësoj sipas rregullores ndërkombëtare”, theksoi Kushi në fjalën e saj.
Ndër të tjera ajo tha se qëllimi i këtij vendimi është mbështetja dhe motivimi i sa më shumë i sportistëve për të ushtruar sportin.
“Edhe ata sportistë që e kanë përfituar statusin e nivelit të lartë të trajtohen sipas këtij vendimi. Do të thotë që Briken Calja do të vlerësohet si sportistët e tjerë botërorë, me këtë motivim do të na nderojnë”, e mbylli Kushi fjalën e saj./AP/