SPAK ka mbyllur sot hetimet për ish-kryebashkiakun e PD në Pogradec, Eduart Kaprin dhe 5 ish-vartësit e tij, ndërsa çështja ka shkuar tashmë në Gjykatë e Posaçme. Kapri dhe 5 vartësit e tjerë do të gjykohen në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019 si dhe për akuzën për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017.

Përveç Kaprit, janë dërguar në GJKKO Avdulla Canon, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Enkeleida Kllomollari, ish-Dr. e Qendrës Arsimore në Pogradec, Nexhmi Torrën, ish-koordinator i Nj. Adm. pranë Bashkisë Pogradec, Gurali Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec dhe Safet Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec.

Sipas SPAK, nga hetimet rezultoi se Kapri, së bashku me dy ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë së Pogradecit, Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri akuzohen edhe për faktin se tentuan të pengonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor të 2019, duke i vënë drynin tre shkollave dh enjë kopshti, që ishin përcaktuar si qendra votimi nga KQZ.

Safet Blaceri 59-vjeçari Gurali Blaceri u arrestuan më 29 qershor, një ditë para zgjedhjeve, pasi u kapën duke mbyllur me çelës tre shkolla dhe një kopsht fëmijësh në lagjet nr 2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, që ishin përcaktuar si qendra votimi. Në një reagim pas kësaj ngjarje, Kapri tha asokohe se shkollat ishin pronë e bashkisë dhe se kishin zbatuar dekretin e Presidentit që shtyu datën e zgjedhjeve lokale.

Po ashtu, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano akuzohen se  kanë abuzuar me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, pas hetimeve të SPAK u arrestua dhe ish-kryetari i Bashkisë Lushnjë Fatos Tushe dhe 6 zyrtarë të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me një tender abuziv me vlerë 24 mln lekë për rehabilitimin e kanalit ujitës.

VERITAS.COM.AL