GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka vendosur një masë sigurie ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Ai akuzohet për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim.

Ndaj Beqjas është vendosur “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”. Ky vendim është ekzekutuar këtë të premte.

Ndërkohë, kujtojmë se zv. ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj janë në burg për koncesionin e sterilizimit, po e njëjta çështje për të cilën akuzohet dhe Beqja.

Njoftimi i SPAK: 

Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:

Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.

Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.

Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..

Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).

Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.