Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për inceneratorin e Elbasanit, duke marrë të pandehur Lefter Kokën, Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe disa ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit.
Ditën e sotme, avokatë e 3 të pandehurve janë njohur me akuzat përfundimtare të ngritura nga prokurori i çështje dhe tani dosja do kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Momentalisht në qeli është vetëm ish-ministri Lefter Koka, pasi dy personat që u morën me ngritjen e inceneratorit u arratisën. Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zoto akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Me vendimin e 14 dhjetorit 2021 u vendos dhe sekuestroja e inceneratorit. SPAK shpjegoi atëherë se Lefter Koka, në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare. Gjithashtu dyshohet se ata i kanë dhënë ryshfet ish-ministrit Koka. Por para se të nisin arrestimet ata u arratisën dhe nuk janë arrestuar ende.
Ndërkohë, akuzat ju janë komunikuar edhe: Pëllumb Abeshit, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratorit, ish drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabirit, ish-anëtari i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit; Etleva Kondit, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit. Jonida Zeqos, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet për “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim dhe Serafin Papës, ish-anëtar i Komisionit për dhënien e koncesionit.
Pasuritë e sekuestruara për inceneratorin e Elbasanit
14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²;
3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²;
1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²;
8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.