Ish kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila pasi ka përfunduar hetimet paraprake, i ka komunikuar Llallës akuzën e ngritur ndaj tij.
“Shtetasi Adriatik Llalla është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal”, thuhet në reagim.
NJOFTIMI I PLOTË
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për proçedimin penal Nr.65, viti 2019, në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla, me funksion ish – Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të hetimeve paraprake, pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore, pasi janë vlerësuar të gjitha provat e administruara gjatë hetimeve, shtetasi Adriatik Llalla është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal.
Aktualisht nga Prokuroria e Posaçme janë duke u kryer veprimet administrative për dërgimin e akteve të procedimit penal Nr.65/2019, për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.
VERITAS.COM.AL/