Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po zhvillon një operacion në Elbasan, duke ekzekutuar disa urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Operacioni, i cili është pjesë e përpjekjeve për të goditur korrupsionin dhe abuzimet me detyrën, ka përfshirë arrestimin e disa personave, përfshirë ish-funksionarë të sistemit të drejtësisë.
A2 CNN ka mësuar nga burimeve jo zyrtare, mes personave për të cilët ka urdhër arresti janë ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dhe ish-gjyqtari Zihni Shahu. Ish-gjyqtarja Fetahu ishte ndërkohe duke vuajtur një masë sigurie “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimit të SPAK për dosjen “Çopja”.
Me kërkesë te SPAK është lëshuar masë “arresti në shtëpi” edhe për Blerina Beqirin, avokate e grupit të Suel Çelës. Sipas burimeve, emrat e tyre dalin në komunikimet Sky ECC për të zbutur pozitën e një anëtari të grupit të Çelës.