Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar ditën e sotme se SPAK-u ka dështuar. Teksa ka komentuar deklaratën e kreu të SPAK Arben Kraja, i cili tha pak më parë se ka indicie se ka pasur presione e kërcënime ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ngjela u shpreh se ky i fundit duhet t’i thotë me emra.
Më tej ai tha se duhet goditur korrupsioni, që sipas tij është në mazhorancë, opozitë dhe në pushtetin lokal.
“Duhet goditur korrupsioni, korrupsioni është në sistem, duhet prishur sistemi.
Është sistem korrupsioni dhe në këtë moment duhet një forcë shumë e madhe goditje, por kjo mungon. Korrupsioni vazhdon në mazhorancë, në opozitë dhe në pushtetin lokal.”, nënvizoi Kraja.
Ditën e sotme, kreu në detyrë i SPAK, Arben Kraja, tha se po bëhen hetime shumë të rëndësishme.
Në një deklaratë për mediat, pas takimit me prokurorët për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kraja përmendi rastin e sotëm të marrjes të pandehur të 10 ish zyrtarëve të qarkut të Lezhës, përfshirë edhe ish-kryetarin e bashkisë.
“Prokurorët e SPAK punojnë përditë. Sot kishim një njoftim për përfundimin dhe dërgimin për gjykim të një procedimi shumë të rëndësishëm për shkelje me pronat publike, ku është sekuestruar një sasi e jashtëzakonshme sipërfaqe toke e cila do t’i kthehet shtetit”- tha Kraja.
Më tej, ai theksoi se ka indicie që prokurorë e gjyqtarë që hetojnë dosje me personazhe të fuqishëm janë kërcënuar.
Kraja përfundon mandatin në dhjetor, ndërsa në 2 nëntor 2022 përfundon afati për dorëzimin e kandidaturave të tjera për këtë post.
E kur kanë mbetur vetëm pak ditë, ende nuk është paraqitur asnjë kandidaturë për t’u ulur në karrigen që do të lihet bosh nga Kraja.