Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka deklaruar se ditën e enjte në Parlament, mazhoranca do të zhvillojë një debat për shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta, pas vendimit të këtij të fundit për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 Qershor.

Në një prononcim për gazetarët, Elisa Spiropali u shpreh se në seancën plenare të ditës së enjte do të diskutohet pikërisht për vendimin e kreut të shtetit, të cilin ministrja e konsideroi “akt brutal”. Pavarësisht anulimit të datës së zgjedhjeve, Spiropali u shpreh e bindur se më 30 Qershor zgjedhjet do të zhvillohen.

Kryesia ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës dhe ka vendosur që të enjten në seancë plenarë të zhvillojë një debat duke shtjelluar gjithë argumentet sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës e asnjë Kushtetutë, dhe aq më pak të quajtur dekretim.

Në fund do i takojë Kolegjit Zgjedhor apo KQZ ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike, por ne si kryesi e Partisë Socialiste mendojmë se Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë funksion dhe Parlamenti do fillojë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës. Do të nisë në seancën e së enjtes ku të gjithë argumentet do të shtjellohen plotësisht dhe është detyra jonë juridike për të mbrojtur Kushtetutën dhe Republikën Parlamentare.

Do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese më shumë, por kjo nuk na heq ne të drejtën për të filluar procesin e shkarkimit. Në 30 Qershor do ketë zgjedhje”, u shpreh Spiropali pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste.

Sipas Kushtetutës, për shkarkimin e Presidentit të Republikës duhen 2/3 e votave në Parlament, pra 94 vota.

Veritas.com.al/