Mbi 10 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në Spitalin Memorial të Fierit, në 3 muaj nga fillimi i funksionimit të tij.
Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit, Rudina Degjoni bëri një bilanc të 3-mujorit të parë të punës. Sipas saj, “10,078 qytetarë janë shërbyer në 90 ditë ose 112 qytetarë çdo 24 orë”.
“Në 3 muaj janë realizuar 3,504 shërbime ambulatorike dhe 2,990 shërbime imazherike 100% falas me sistem referimi”, tha Degjoni .
Degjoni theksoi se Spitali Rajonal Memorial Fier u ofron shërbim 550 mijë banorëve të jugut.
Spitali Memorial i Fierit do të shërbejë si qendër ekselence, ndërkohë që operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.
Në total, ai ka një ekip prej 206 punonjësish, prej të cilëve 53 janë staf turk dhe 153 shqiptarë.
I ndërtuar në një kohë rekord, Spitali Rajonal Memorial i Fierit është investim i Republikës së Turqisë dhe ofron shërbime të nivelit terciar për të gjithë rajonin e jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.
Spitali Rajonal Memorial Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.