Spiunët e ish-Sigurimit dhe personat e shpallur “non grata”, duket se pas shtatorit do të përjashtohen nga Parlamenti, për shkak se Partia Socialiste ka paralajmëruar nismë ligjore për të nxjerrë jashtë politike Sali Berishën dhe Ilir Metën. Gazeta “SOT” e deklaroi e para se mazhoranca do të ndërmarrë ndryshime në ligjin për dosjet e ish-Sigurimit, ndërkohë që do të vërë në zbatim edhe ligjin e Lustracionit, i cili zbythë nga politika dhe jeta publike këdo që ka qenë spiun apo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Dhe duket se sesioni i ri në Kuvend në shtator do të ketë prioritet dhe jovetëm miratimin e ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve dhe që mbështeten fuqishëm nga PS dhe ajo pjesë e Partisë Demorkatike e drejtuar nga deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.
Pra, përmes kësaj nisme të fortë, mazhoranca socialiste synon “të vrasë dy zogj”, pasi është tejet e interesuara të nxjerrë jashtë politike dhe Parlamentin dyshen Meta-Berisha. Ish-presidenti Ilir Meta, tashmë në statusin e kreut të Partisë së Lirisë, rrezikon të dalë jashtë sistemi, nga ligji i dosjeve dhe Lustracionit, për shkak se akuzohet se ka qenë spiunë i ish-Sigurimit të Shtetit.
Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha pritet të dalë nga politika, përmes ndryshimeve në ligji që do të propozojë Partia Socialiste, ku do t’iu ndalohet përfshirja në politikë dhe të qenit deputet, kujdo që është shpallur “non grata” nga Uashingtoni dhe Londra. Kjo do të thotë se Berisha rrezikon seriozisht mandatin e deputetit, madje edhe për faktin se ai ka qenë pjesë e Partisë së Punës së Shqipërisë si titulluar, e shkuar kjo që e djeg, për shkak të ligjit të Lustracionit.
Balla jep detaje
Megjithatë më shumë detaje rreth kësaj nisme të PS, ka dhënë dje edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Ky i fundit përmes një statusi në rrjetet sociale rrjetet sociale, mes të tjerash deklaron se Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar që vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij.
“Ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, një shërbimi sekret terrori, në të gjitha majat e piramidës shtetërore, ka bërë të domosdoshëm miratimin sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesionin e ri që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve, për të rishikuar certifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit.
Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij. Ne nuk ia drejtojmë dot bishtin as non gratës as bashkëpunëtorëve, por ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të keqen të vazhdojë të bëjë moral me shpresën se do të hajë kokën e vet, madje absurdi të shkojë deri aty sa këta lloj të bërtasin për drejtësi, kur janë vetë ata që kanë hesapet më të mëdha me drejtësinë dhe Shqipërinë”, shkruan Balla.
Pra, ky reagim i fortë nga Partia Socialiste vjen, pasi ish-presidenti Ilir Meta rezultoi si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha përveçse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpall “non grata” edhe nga Britania e Madhe.
Kujtojmë se gazeta “SOT” siguroi dokumentin ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve që zbulon se Ilir Meta është politikani i lartë i Shtetit që përmendet në dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në dokumentin e ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve të siguruar nga gazeta thuhet se ish-presidenti Meta rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit dhe nëse verifikimi i Metës do të bëhej sot certifikata e pastërtisë së tij do të ishte ndryshe.
Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90. Autoriteti i Dosjeve, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më, kërkojnë miratimin e propozimit për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë. Personi i cili dyshohet se është spiunuar nga ish-Presidenti, ish-Kryeministri dhe ish kryetari i Kuvendit të Shqipërisë në Sigurimin e Shtetit në komunizëm është Filip Talo. Po ashtu, gazeta mësoi gjithashtu se ai ka qenë shok në fakultet me Ilir Metën. Sipas një denoncimi të mbërritur në Autoritetin e Dosjeve Filip Talo është spiunuar nga I. M për një tentativë për arratisje në kohën e komunizmit. Ndërkohë, ish-presidenti e mohon të jetë ai personi që përmendet në shkresën e Autoritetit të Dosjeve, me pretendimin se ka disa persona me emrin Ilir Meta.
Megjithatë, gazeta “SOT” disponon gjithashtu dokumente që vërtetojnë se ish presidenti Ilir Meta ka përdorur dy mbiemra për të fshehur të shkuarën e tij në ish Sigurimin e Shtetit.