Qeveria shqiptare zhvilloi këtë të enjte ceremoninë për dhënien e gradës ushtarake “Kolonel” për sportistët kampionë të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë nderuar vendin në Lojërat Olimpike, apo edhe në kampionatet europiane dhe botërore.

 

Kampionet e Kosovës në xhudo, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë pjesë e Forcave të Armatosura, teksa peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, boksieri Alban Beqiri edhe atletja Luiza Gega do jenë tanimë me gradën “Kolonel”.

Për shkak të arritjeve të tyre në arenën ndërkombëtare, sportistët do marrin këtë gradë honorifike duke përfituar një pagë dhe një pension dinjitoz. Në ceremoninë e zhvilluar kanë marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, si edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.

Në fjalën e tij, Edi Rama e ka quajtur një “heqje barre” këtë gradë për sportistët, duke cekur se shumë prej kampionëve tanë janë larguar nga vendi dhe kanë kontribuar për një tjetër shtet për shkak të mungesës së kushteve bazë.

“Sot është ditë historike për sportistët dhe Forcat e Armatosura, sepse bëhen pjesë e FA një grup sportistësh që kanë ngritur lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare. Pjesë e FA janë edhe tre shqiptare e Kosovës, që do jenë nën të njëjtin flamur për të njëjtin mision, me të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuara; në funksion jo vetëm të sportit por edhe Forcave të Armatosura. Përfshira e tyre si Kolonel dhe Kolonele e FA dhe gradave të tjera për arritjet në sport, përbën një vlerë të shtuar morale dhe profesionale, përtej simbolikës. Jam i lehtësuar sot që kam hequr këtë barrë nga kurrizi, që e kishim trashëguar nga e shkuara. Nuk e ulim kokën nga turpi për keqtrajtimin dhe harresën ndaj tyre. Na ka ndodhur në të shkuarën që djem të përkushtuar kanë ngritur flamuj të tjerë, sepse shteti nuk i jepte mundësi për të ngritur flamurin tonë kombëtar. E bënë këtë për një palestër, për një trajtim ushqimor dinjitoz, për një trajner të motivuar, për përfaqësim. Në pamundësi për këto, përfaqësuan forcën e talentit dhe pasionit të tyre. Kjo është një histori turpi e shtetit shqiptar që i përket së shkuarës”, tha Edi Rama.