Kryeministri , Edi Rama, mesditën e 25 nëntorit, është takuar me katër përfaqësues të fermerëve, të cilët kundërshtojnë Paketën Fiskale.

Një nga përfaqësuesit e fermerëve u shpreh se ka “10 milionë lekë për të shlyer detyrimet”, për mallin që ka marrë, përfshirë fidanin dhe veglat e tjera të nevojshme të një fermeri.

Në bisedën mes Ramës dhe fermerëve, problematika ishte “e përbashkët”.

“Të dy palët paskemi të njëjtin hall, ai 6% nuk shkon te këta”, tha Rama.

Kurse fermerët thanë se “30% e fermerëve nuk kanë porositur fidanë për të mbjellë këtë sezon”. Kjo, sepse krizat e tregut janë “të paorientuara”.

Rama e ka cilësuar si “çështje organizimi dhe çuarje e parasë në drejtimin e duhur dhe jo në drejtimin që paraja ka devijuar”.

Sipas kësaj pakete, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor është propozuar që të bëhet 0% nga 6%, që është aktualisht, dhe njëkohësisht të zëvendësohet skema e subvencionimit.

Në këtë mënyrë, fondi në dispozicion për fermerët do të reduktohet me 2%.

Edhe tatimi mbi vlerën e shtuar, për fermerët, është rritur me 10%.

Tashmë, sipas fermerëve, paguajnë më shumë tvsh dhe rimbursohen më pak.

Në takimin që po mbahet në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë,  ndodhet dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.

Fillimisht, fermerët u mblodhën jashtë Kuvendit duke protestuar mbi paketën fiskale.


Kryetari i Shoqatës së Fermerëve,  Eduart Sharka, në një deklaratë për mediat, ka shpjeguar se fermerët ndodhen në vështirësi të mëdha dhe se 30% prej tyre nuk kanë porositur farat për të mbjellë, për arsye se kanë dështuar për tre vite.“Ne mendojmë se qeveria nuk i njeh problemet reale të fermerëve. 30% e fermerëve nuk kanë porositur për të mbjellë, sepse kanë tre sezone që dështojnë. Ramë dakord që cilësia e inputeve bujqësore është e pagarantuar. Në rast se ekspertët e qeverisë ulen me ne dhe marrin në konsideratë problemet tona, mund të zgjedhim diçka”.

Ai bëri me dije se kanë rënë dakord që “të ulemi dhe të diskutojmë me qeverinë”.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Sajmir Korreshi, u shpreh se është i njohur me problemet e tyre.

“Fermeri do lekë në dorë, do të prekë realisht problemin. Të marrim një nga pistat, të kontrollohen bursat. Kjo do të rregullonte edhe informalitetin. Po lënë serat, po ikin në Gjermani për të larë borxhet që kanë marrë për të ndërtuar serat”.

Të hënën e 15 nëntorit, fermerët e Myzeqesë u mblodhën në protestë.

Ata marshuan në qendër të Lushnjës, kjo në një sensibilizim për Qeverinë dhe publikun në lidhje me ndryshimet e paketës fiskale në fushën e Bujqësisë.

Edhe këtë herë, protesta është mbikëqyrur nga efektivët e Policisë.

Fermerët kërkonin “subvencionim direkt i fermerit me 10 lekë për kg”, “barazim të TVSH-së në shitje dhe blerje”, “subvencionim 3 lekë për eksportuesit”, “laboratorë analizash për tokat dhe perimet”, si dhe “garanci për pagat e faturave nga grumbulluesit”.

Frida Krifca

Tri ditë pas protestës, ministrja për Bujqësinë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrive ku deklaroi se u miratua një Projektvendim për shtyrjen e “Programit për zhvillimin e qëndrueshëm rural”, tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me fermerët.

Paketa e re fiskale

Nëse fermerët shisnin 1 produkt për 100 lekë, ata përfitonin 6 lekë rimbursim të TVSH-së, gjë që me këtë paketë të re fiskale shkon në zero.

Nga ana tjetër, fermerët duhet të vijojnë të paguajnë 20% të TVSH-së për produktet që blejnë.

Kjo skemë, shpesh, ka qenë e prekur nga ndryshimet e miratuara në Qeveri të ndryshme.

Kompensimi prej 6% u vendos si fillim në 2019-ën, pasi deri në atë kohë ishte 20%.

Në buxhetin e saj, Ministria e Bujqësisë ka parashikuar 12 miliardë lekë për fermerët nga 13.1 miliardë që ishin këtë vit.