“Vrasësi po shëtit nëpër Beograd, i ftohtë si vdekja”, “vrasësi i fëmijëve”, “Kosova dhe Metohija është pjesë e Serbisë”, “Populli serb është me Rusinë”. Janë disa nga fjalët me të cilat është fyer dhe sulmuar ambasadori amerikan në Serbi.
Ambasadori Christopher Hill është sulmuar verbalisht nga disa gra nëpër rrugët e Beogradit ndërsa ecte me bashkëshorten e tij. Teksa e kanë fyer me fjalë të rënda, gratë ‘protestuese’ e kanë filmuar për 10 minuta Ambasadorin për rolin e tij në vitin 1999 kur ishte bombarduar Serbia.
Hill ishte njëri nga negociatorët amerikanë që ka provuar të gjejë një zgjidhje paqësore për Kosovën e Serbinë. Por, Millosheviç i kishte hedhur poshtë të gjitha ofertat që kishte çuar në bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Hill ka filluar punën si ambasador i SHBA në Beograd në mars të vitit të kaluar. Si duket reputacioni i tij tek serbët është ende ai i ‘bombarduesit’ të Serbisë.
“Populli serb e përkrah Rusinë, populli serb nuk i përkrah nazistët e Ukrainës. Po shëtisni i lirë në tokën serbe ndërsa po sundojnë tradhtarët”, “Kosova dhe Metohija do jenë përgjithmonë serbe”, kanë qenë disa nga fjalët ndaj Ambasadorit i cili kohë pas kohe ka kontrolluar telefonin e tij dhe i paprovokuar ka ecur drejt një muzeu.