Astrit Patozi/
Edhe pse nuk e meritojnë, u kam sugjeruar zgjidhjen më të arsyeshme politike, që kur krisi pushka e parë në oborrin e SHQUP-it, diku nga fillimi i shtatorit, pasi Sali Berisha u pezullua nga grupi parlamentar i PD.
Të paktën të ruanin atë, që kishte mbetur nga Partia Demokratike, por mbi të gjitha fytyrën e opozitës. Duke u ndarë paqësisht, në pamundësi për të bashkëjetuar nën të njëjtën çati dhe, mbi të gjitha, pasi u ishin shmangur me vullnet të qartë përgjegjësisë për t’u ndeshur në mënyrë të qytetëruar në një garë normale demokratike, e cila do të verifikonte dhe çertifikonte shumicën.
Përfundimi janë skenat e sotme, që do të turpëronin edhe fiset e xhunglave afrikane, që ende nuk kanë dalë nga rendi primitiv, për shkak të izolimit nga bota moderne.
Tani le të dalin në ekrane dhe të thërrasin sa të duan për fitore. Si ata që ndjehen të lumtur se arritën të mbajnë çelësat e kashtës në selinë e pashenjtë, që kutërbon nga era e gazit lotsjellës, ashtu edhe ata të tjerët, që po mburren jo aq të gëzuar se kapën në flagrancë Lulin duke flirtuar me policinë e Edi Ramës.