Në një atmosferë krejt ndryshe nga takimi i tyre i fundit gjashtë muaj më parë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky zhvilluan në Washington një raund të ri bisedimesh për paqen në Ukrainë.
I shoqëruar edhe nga liderët evropianë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Giorgia Meloni, Emmanuel Macron, Keir Starmer, Friedrich Merz dhe Alexander Stubb, Trump premtoi hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e katërt.
Në një moment pushimi, presidenti amerikan telefonoi Vladimir Putinin, me të cilin qëndroi në linjë për rreth 40 minuta. Pas bisedës, Trump njoftoi në rrjetin e tij Truth Social se kishte “avancuar marrëveshjet për një takim mes Putin dhe Zelensky, në një vend që ende do të përcaktohet”, duke shtuar se më pas do të mbahet edhe një takim trepalësh. Sipas “Axios”, synimi është që takimi Putin-Zelensky të mbahet brenda muajit gusht.
Ndërsa u largua nga Shtëpia e Bardhë, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se “është rënë dakord që brenda dy javësh të zhvillohet një takim mes presidentëve rus dhe ukrainas”. Zelensky nga ana e tij theksoi se data nuk është vendosur ende dhe se është i hapur për çdo opsion, por Putini paraprakisht kërkon një takim dypalësh.
Nga Kremlini nuk pati konfirmim. Një këshilltar i Putinit, Yuri Ushakov, e quajti bisedën me Trump “të hapur dhe konstruktive”, megjithëse sipas “New York Times” termi diplomatik “i hapur” nënkupton se nuk ka pasur dakordësi të plotë.
Garanci sigurie për Ukrainën, por edhe çështja e territoreve në tryezë
Trump shpjegoi se diskutimet kishin të bënin me garancitë e sigurisë për Ukrainën, që sipas tij do të ofrohen kryesisht nga vendet evropiane me koordinimin e SHBA-ve. “Evropianët do të jenë në vijën e parë të mbrojtjes, por amerikanët do të përfshihen”, shkroi ai.
Zelensky kërkoi publikisht një “ushtri të fortë ukrainase”, trajnime dhe inteligjencë nga Perëndimi. Ai gjithashtu konfirmoi se Ukraina është e gatshme të blejë armë amerikane në vlerën e 90 miliardë dollarëve, një mesazh që vjen teksa edhe vendet e BE-së kanë paralajmëruar investime miliardëshe në sisteme të mbrojtjes amerikane, përfshirë raketat Patriot.
Në prapaskenë, është diskutuar edhe çështja e territoreve. Foto të shpërndara nga Shtëpia e Bardhë tregojnë Trump dhe Zelenskyn të ulur mbi një hartë të Ukrainës. Burime të Fox News raportuan se amerikanët dhe evropianët i kanë sugjeruar Zelenskyt të shqyrtojë cilat territore janë kritike për t’u mbajtur dhe cilat mund të negociohen, gjithnjë në këmbim të garancive të forta sigurie.