Aleatët evropianë janë bërë bashkë për të mbështetur Ukrainën, duke këmbëngulur se çdo bisedim për paqe me Rusinë duhet të përfshijë edhe Kievin.
Kjo vjen në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump po përgatitet të zhvillojë një takim me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë, të premten.
“Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën!” thuhet në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, Finlandës dhe Komisionit Evropian.
I shqetësuar se Ukraina mund të mos ftohet në bisedimet për paqe, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se çdo marrëveshje pa Kievin do të ishte një “vendim i vdekur”.
Mbrëmjen e së shtunës, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump do të ishte i gatshëm të mbante një takim trepalësh me Putinin dhe Zelenskyn, por për momentin, takimi do të mbahet vetëm mes dy liderëve, ashtu siç kërkoi fillimisht pala ruse.
Trump më herët kishte sugjeruar se mund të fillonte vetëm me një takim me Putinin, duke u thënë gazetarëve se planifikonte të “fillonte me Rusinë“. Megjithatë siç shkruan BBC, presidenti amerikan shtoi se beson se “kemi një shans” për të organizuar një takim trepalësh me Putinin dhe Zelenskyn.
Nuk është e qartë nëse Putini do të pranojë një takim të tillë, ai ka refuzuar disa herë mundësinë për bisedime të drejtpërdrejta, dhe dy liderët nuk janë takuar ballë për ballë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës, mbi tre vite më parë.
Duke folur të premten, Trump gjithashtu sugjeroi se “do të ketë një shkëmbim territoresh” në mënyrë që Moska dhe Kievi të arrijnë një marrëveshje, deklaratë që shkaktoi një reagim të fortë nga Zelensky.
“Nuk do të shpërblejmë Rusinë për atë që ka bërë,” tha ai në Telegram. “Çdo vendim kundër nesh, çdo vendim pa Ukrainën, është gjithashtu vendim kundër paqes.”
Ai shtoi me vendosmëri:
“Rusët vazhdojnë të imponojnë idenë e ‘shkëmbimit’ të territorit ukrainas për territor ukrainas, me pasoja që nuk garantojnë gjë tjetër veçse pozicione më të favorshme për rusët për të rinisur luftën.”
Sipas CBS-së, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të bindë aleatët evropianë të pranojnë një marrëveshje që përfshin kalimin e të gjithë rajonit të Donbasit nën kontrollin e Rusisë, si dhe mbajtjen e Gadishullit të Krimesë.
Nga ana tjetër, Ukraina dhe fuqitë evropiane kanë paraqitur një plan alternativ për përfundimin e luftës, raportoi Wall Street Journal. Ai përfshin kërkesën që çdo shkëmbim territoresh të jetë i ndërsjellë, pra, nëse Ukraina tërhiqet nga disa rajone, atëherë edhe Rusia duhet të tërhiqet nga disa të tjera.
Në deklaratën e tyre të përbashkët të shtunën mbrëma, liderët evropianë theksuan se “kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
“Ukraina ka të drejtën e zgjedhjes për fatin e saj,” thanë ata, duke nënvizuar se vendet e tyre do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në mënyrë diplomatike, ushtarake dhe financiare.
Liderët evropianë shtuan gjithashtu se një “zgjidhje diplomatike” është thelbësore, jo vetëm për të mbrojtur Ukrainën, por edhe për sigurinë e vetë Evropës.
Nuk është vetëm Ukraina që po përpiqet të përfshihet në takimin në Alaska. Aleatët evropianë janë gjithashtu të shqetësuar për mungesën e ndikimit të tyre në çdo marrëveshje që Trump mund të arrijë me Putinin.
Në një postim në X të shtunën, presidenti francez Emmanuel Macron shprehu shqetësimin për mundësinë që Rusia dhe SHBA të përjashtojnë Evropën nga procesi.
“Edhe evropianët do të jenë domosdoshmërisht pjesë e zgjidhjes, pasi siguria e tyre është në rrezik,” shkroi ai.
Evropa ka ndjekur një linjë të ashpër ndaj Moskës, duke përfshirë sanksione ndaj entiteteve ruse dhe ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Zelensky tha se i kishte thënë Macron-it në një bisedë telefonike të shtunën se çelësi është të sigurohet që “rusët të mos mashtrojnë më askënd.”
“Të gjithë kemi nevojë për një përfundim të vërtetë të luftës dhe themele të besueshme sigurie për Ukrainën dhe për vendet e tjera evropiane,” theksoi presidenti ukrainas.
Diplomacia amerikane me Evropën dhe Ukrainën ra mbi zëvendëspresidentin amerikan JD Vance të shtunën, kur ai vizitoi Mbretërinë e Bashkuar dhe zhvilloi bisedime me Sekretarin e Jashtëm David Lammy, si dhe me dy nga këshilltarët më të afërt të Zelenskyt.
Duke falënderuar Vance për diskutimet, Andriy Yermak, shefi i zyrës së Zelenskyt, theksoi nevojën që Ukraina të përfshihet në proces.
“Një paqe e qëndrueshme dhe e besueshme është e mundur vetëm me Ukrainën në tryezën e bisedimeve,” tha ai. “Një armëpushim është i nevojshëm, por vija e frontit nuk është kufi.”
Samiti në Alaska, një territor që Rusia ia shiti SHBA-së në vitin 1867, do të ishte takimi i parë mes një presidenti amerikan dhe një presidenti rus që nga takimi Biden–Putin në Gjenevë, në qershor të vitit 2021.
Nëntë muaj më vonë, Moska nisi pushtimin e Ukrainës.
Në vitin 2022, Kremlini shpalli aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Lugansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, megjithëse nuk i kontrollon tërësisht.
Moska nuk ka arritur një përparim vendimtar në pushtimin e saj të plotë, por mban ende nën kontroll pjesë të mëdha të lindjes së Ukrainës. Ndërkohë, ofensivat ukrainase nuk kanë arritur ta zmbrapsin ndjeshëm ushtrinë ruse.
Komente