Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se në takimin e së hënës që do të mbahet në Bruksel mes presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit Albin Kurti, ky i fundit do të nënshkruajë marrëveshjen sipas planit franko-gjerman, ku parashihet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndër të tjera Çitaku shton se plani franko–gjerman nuk erdhi nga asgjëja, por ai është produkt i negocimit të kryeministrit prej dy vitesh.
“Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën, Kryeministri Kurti do të nënshkruajë asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik”, ka shkruar Çitaku.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.