Viti i ri akademik nuk do të shtyhet sërish, do të nis ditën e hënë në datë 18 tetor, ndërsa kusht për të ndjekur mësimin në auditore është që studentët të jenë të vaksinuar.
Por çfarë do të ndodh me studentët e pavaksinuar e që nuk paraqesin as testin negative për shkak të kostove të larta?
Artan Hoxha: “Ju e dini që ne jemi shtet ligjor dhe rregulli për të hyrë në institucionet arsimore është që të garantosh se nuk rrezikon shëndetin e të tjerëve se jemi në pandemi. Ky rregull nuk është vendosur nga universitetet por autoritetet shtetërore që mbajnë përgjegjësi për shëndetin publik. Rregulli nuk bën përjashtime e duhet zbatuar!”
Për shkak të interesimit të ulët të studentëve për tu vaksinuar në pikat pranë Fakulteteve, këto struktura do të qëndrojnë edhe përgjatë nisjes së vitit të ri akademik, ndërsa nuk do të jetë alternativë zhvillimi I mësimit online.
Artan Hoxha: “Nga 30% e studentëve që I janë përgjigjur pyetësorit të universitetit të tiranës nëse janë vaksinuar apo jo, 50% e tyre thonë që po. Pikat e vaksinimit do të qëndrojnë minimalisht edhe javën e parë të fillimit të mësimit në auditore”.