Frrok Çupi/

Janë atavizmat e fundit të “revolucionit në flluskë” të komunizmit. “Ecim, marshojmë, përpara o shokë…!”. Për ku? Pas një hapi a pas pesë hapave në marshim, mund të ishte zgripi, pastaj humnera. Punë e madhe!, të gjithë në marshim! Kjo ishte e tëra.

-Jam i lumtur- tha dje kryeministri i Shqipërisë sapo u kthye nga Berlini. Kishte takuar kancelaren gjermane Merkel me ftesë të saj për t’i thënë “Jo, nuk jeni akoma” për negociatat e anëtarësimit në BE . Kryeministri i këtushëm tha se ishte “i lumtur”. Pse?

Është e njëjta psikozë e “flluskës” komuniste që marshonte…,për ku? Marshimi i ekipit është për në zgrip; në zgrip ndodhet gjithçka që e lidh këtë aferë politike pranimi ose mos- pranimi, mburrjeje apo agresioni, dështimesh apo skenarësh…

Të gjitha janë në zgrip:

E para, kancelarja plus ballkaniku:

Kjo ndoshta e takoi për herë të fundit kryeministrin Rama; e fundit që nga maja e postit të saj dhe që nga posti i këtij. “Shihemi pas zgjedhjeve”- i tha. Nuk dihet se me cilin kuptim e tha; pas zgjedhjeve në Shqipëri, apo pas zgjedhjeve të saja në Gjermani. Këto tonat janë diku nga fillimi i verës, ndërsa zgjedhjet gjermane mes 27 gushtit e 22 tetorit 2017. Zgjedhjet në Shqipëri mund të degjenerojnë në blerje të tmerrshme votash duke përdorur pasurinë e krijuar prej vjedhjes së parave publike dhe prej trafikut të drogës. Mund të degjenerojnë akoma më keq. Por tani këta duhet të dinë se në Amerikë është Donald Trump president, jo George Soros. Trump është betuar për “Dry swamp!” (tharje kënete). Edhe sikur të fitojë në Gjermani zonja Merkel, ky ballkaniku “humorist” i Tiranës mund të mos jetë më kryeministër… E shikoni: Për të dy përdoret fjala “mund”. Domethënë… mund të jenë, mund të mos jenë. Zgrip!

E dyta, kancelarja, veç këtyre:

Kancelarja Merkel po ndërron rrugë. Dje në Berlin nuk ishte ajo që kishte qenë, dhe nesër nuk do të jetë as kjo e Berlinit. Merkel ndodhet në pikën më të vështirë: O do të ktheje rrugë, o do të humbë vetë dhe do të rrëzojë  Gjermaninë nga pozita më e lartë e Europës. Merkel besoi se mund të ishte “nëna” e emigrantëve dhe “nëna”e Gjermanisë. Të dyja nuk shkojnë bashkë. Para dy ditësh shpalli vendimin e saj për të dëbuar menjëherë 100 mijë emigrantë që më parë iu kishte thënë “jam nëna juaj!”. Gjermanët nuk e pranonin dot kështu; as Europa. Në Europë ka lëvizje të fuqishme dhe fitimtare kundër emigrantëve. Merkel ka thënë se  do të dëbojë edhe të tjerë e të tjerë emigrantë, “nëse nuk shkojnë vullnetarisht, atëherë forcërisht”. Erdogan i Turqisë, qw nuk e pranojnë nw BE, po e kërcënon se “t’i hapa portat edhe për 1 milionë emigrantë të tjerë!”.

“Nëna” nuk mund ta ketë mendjen më te ballkanikët. Aq më tepër, me një qeveri që kultivon dhe trafikon drogë si Shqipëria, nuk mund të paraqitet më para gjermanëve dhe para europianëve. Se atëherë do t’i thonin: “Edhe këtë po na e bën? Na mbyte me emigrantë, tani edhe me krim…”.

Angela është në pozita që si kandidate për kancelare për herë të katërt, i duhet të korrektojë  Merkeli- Merkelin, ta mohojë një pjesë të madhe të saj që të mund të besohet sado pak. E jo më të mbajë ca kunguj të tjerë!

E treta, edhe sikur të fitojë kancelarja gjermane… A do të jetë, vallë përsëri kryekomandate e Europës?

Ky shans është më i vogël se sa të rizgjidhet kancelare. Po forcohet e djathta e vërtetë në Europë. Mergel, e ardhur nga Lindja komuniste, sapo e ndjeu veten “zot”, u lëshua në edukimin e vjetër dhe kaloi thuajse majtas. Europa e djathtë nuk e bën më komandante. Kjo është kontradikta më e madhe.  Gjysma e zemrës së Europës- Franca- po i shtyn fort punët te e djathta konservatore. Në qoftë se fiton François Fillon, ky është shpallur si një “Thatcher” i dytë; në vend që margaret Thatcherin ta zëvendësonte një grua (Angela). Por kjo e humbi shansin. Atëherë as Franca konservatore,  Europa e djathtë, nuk mund ta pranojnë “nënën” e mëshirshme majtiste.

Po Franca dhe më tej?

Nuk ka më shans që të kemi një Francë më pak se konservatore. Zgjedhjet presidenciale mbahen në prill. E majta është shkërmoqur. Presidenti majtist po garon kundër kryeministrit të tij, brenda për brenda. François Fillon ka lënë pas disa kandidatë të njohur dhe ndodhet diku të shtatëdhjetë eca për qind të votave…

Po të mos fitojë konservatori “theçerian” Fillon, atëherë Versaja bie në duar të Marine Le Pen, me siguri. Le Pen e Frontit Kombëtar është një ekstrem i djathtë; por kjo është tendenca në Francë dhe në Europë. Kush mund të ndalet më tek e sprovuara , zonja Merkel?!… Ky i Shqipërisë thotë se “jam i lumtur, në dhjetor do të fol prapë”. Sa ulët!

Më tej se Franca?…

Ja tek është Brexit, modeli i parë i “dry the swamp!”, por që nuk e formuloi me këto fjalë programin e vet. Italia, pas datës 4 Dhjetor mund të mos jetë më “renziane”. Të majtë e të djathtë janë ngritur kundër Referendumit kushtetues që i jep pushtet Njërit nga establishmenti i vjetër. Vëzhguesit thonë se Renzi humb; Italia nuk dihet çfarë do të jetë.

Më tej se Franca janë lindorët që i tërhoqën përdore dhe i futën në BE. Bullgaria votoi një president që është kundër BE. Rumania po kërkon të dalë nga BE. Hungaria, me Orban kryeministër, iu mbylli derën Rothchildëve dhe Sorrosit; para kësaj ngriti muret për të ndaluar emigrantët. BE-së po i thotë se “nuk ka kuptim të qëndroj”.

… Këta kur erdhën nga Berlini dje, zbritën me ngrefosje, edhe pse të humbur. Marshojnë për ku?!… Gjithçka e kemi në zgrip. Fatmirësisht, në zgrip  është vënë edhe e keqja, edhe pasuria e plaçkitur popullit prej qeveritarëve të vet. Ky është lajmi.

/ VERITAS.COM.AL/