Nga Desmiraldo Kerellari
… ndoshta më duhet fillimisht të shpjegoj “titullin” sepse duket sikur “ka një raport” mes këtij
kontigjenti të miturish dhe medias! Jo, nuk ka. Madje nëse do të flasim për “raport”, ai është i
shprishur. Për fat të keq, për këta të mitur “flitet” në media vetëm kur kryejnë krimin e radhës!
Dhe, nga ana tjetër, në media nuk flitet thuajse kurrë për mospërputhjet midis realitetit të
jetës/statusit të tyre dhe çfarë u njihet si e drejtë me ligj!
Si gazetar i ri në moshë, por jo në profesion, më duhet ta nis nga vetja. Jo, nuk kam trajtuar më
parë në shkrimet e mia raportime apo problematika që lidhen me të mitur me konflikt me ligjin.
Për shkak të moshës së tyre të mitur 14-18 vjeç, mbrojtjes dhe konfidencialitetit të të dhënave, e
vështirë është edhe të gjesh shifra dhe statistika për numrin e tyre dhe më e vështirë akoma është
t’i kontaktosh.
Në një intervistë me punonjëset sociale Esjurda Tallushi dhe Ina Denizi, ekspertet e projektit
“RIINTEGRIM vs PËRJASHTIM – Riintegrimi social i të Miturve “në konflikt me ligjin” dhe
“ish të dënuar” në Bashkitë e Tiranës dhe Kamzës” që po zbatohet nga Qendra për Formim dhe
Zhvillim me mbështetjen e LevizAlbania projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe
Bashkëpunim SDC; mësojmë se në Bashkinë e Tiranës dhe Bashkinë e Kamzës aktualisht jetojnë
një numër i konsiderueshëm të miturish që kanë kryer vepra të ndryshme penale dhe gjykata i ka
dënuar me lirim me kusht. Një pjesë e mirë e tyre i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian, por jo
vetëm, dhe pjesa që vjen pas marrjes së dënimit bëhet akoma edhe më e vështirë për t’u matur
me suksese përsa i përket riintegrimit social.
Veprat penale që ata kryejnë, në më të shumtën e rasteve reflektojnë shkallën e varfësrisë dhe
mungesën e realitetit dhe perspektivave për të përballuar jetën dhe lirinë: vjedhje dhe grabitje.
Mosha e tyre e mitur është ajo që duhet të bëhë të reflektojë secilin prej nesh: Ta nisësh kaq
shpejt? Kur dhe si do mbarojë?
… dhe raporti i tyre me pushtetin vendor
Këta fëmijë kanë nevojë për mbështeje, në radhë të parë nga strukturat e pushtetit vendor.
Të përqendruar kryesisht në Kombinat, Laprakë ose në Bathore në Kamëz, ata duket sikur e kanë
të shenjuar fatin e tyre në këto lagje si të harruara apo larg qendrave të promocionit e sukeseve
qytetase!
Shpëtimi i këtyre të miturve nga kriminalizimi pa kthim i jetës së tyre lidhet pazgjidhshmërisht
nga performaca e pushtetit vendor dhe të gjithë aktorëve të tjerë për t’i shpëtuar nga të jetuarit në
situatë rruge, nga varfëria, nga braktisja e shkollës, nga pamundësia për t’u integruar në rrjetin e
marrjes së shërbimeve të specializuara dhe nga pamundësia për t’u integruar në programet e
punësimit apo strehimit social.
Nëse problematikat me të cilat ndeshen këta të mitur në përditësinë e tyre janë të ngjashme, edhe
kur kanë veçanti, zgjidhjet do të ishin optimale nëse ata nuk shihen të ndarë nga zgjidhja e
problematikave të familjeve të tyre.
“Të mitur në konflikt me ligjin”-qytetarë-banorë të Tiranës dhe Kamzës – në këtë optikë po i
monitorojnë dhe advokojnë ata të mitur, prindërit e të cilëve kanë pranuar të bëhen pjesë e
projektit të CFD.
Pra, pas raportit me median, vjen ky raport i rëndësishëm: qytetar-pushtet vendor: a/sa/si i
marrin shërbimet vendore që u takojnë me ligj atyre dhe familjeve të tyre? Dhe këtu mund të
citojmë disa ligje themelore, ku citohet në mënyre eksplicite ky kontigjent qytetarësh dhe
familjet e tyre në nevojë: LIGJI Nr. 121/2016 për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën
e Shqipërisë: Neni 6/Pika d) […]; LIGJI Nr. 22/2018 për Strehimin Social: “Të drejtën për të
përfituar nga programi i banesave sociale të specializuara pas lirimit ose kryerjes së programeve
rehabilituese, […]; Neni 13/ Pika 4; Neni 34/ Pika 3/ k); Neni 58/ pika ç); Neni 61/ Pikat 1-5;
LIGJI Nr. 15/2019 për Nxitjen e Punësimit; Neni 8/Pika 1; Neni 3/ Pika 1/ Pika 4/ gj) të mitur
dhe të rinj në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.
A i përmbush pushteti vendor të gjitha detyrimet ndaj këtyre të miturve që lidhen me funksionet
e deleguara nga Kodi Drejtësisë Penale për të mitur dhe Marrëveshjet e bashkëpunimit me
Shërbimin e provës?
Futja në fuqi në 1 janar 2018 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe akteve të tij
nënligjore konsiderohet një revolucion në fushën e literaturës juridike. Ky Kod sanksionon
frymën e një “drejtësie miqësore”, një “drejtësie restauruese” për të miturit në konflikt me ligjin
e cila materializohet në dhënien e dënimeve alternative, jo me burgim por në kushte lirie.
A është plotësuar i gjithë kuadri ligjor që ta bëjë efektiv, në dobi të të miturve, vuajtjen e dënimit
në liri? – JO.
Me se është “zëvendësuar” institucioni i vuajtjes së dënimit përsa i përket Programeve
Riintegruese në shoqëri, të cilat në burg ekzistojnë? – Me asgjë!
Çfarë ndodh realisht me të miturit që e vuajnë dënimin pa heqje lirie? Po me të miturit ish-të
dënuar, çfarë ndodh pasi përfundojnë dënimin dhe kthehen në jetën e lirë? A shoqërohen këto
procese me programe rehabilituese, riintegruese? A funksionon siç duhet zinxhiri i aktorëve të
pushtetit qendror, vendor, aktorëve të tjerë publik, që përgjigjen për trajtimin e tyre sipas
përcaktimeve ligjore?
Mungesa e një strehe të sigurt, në kundërshtim me ligjin e strehimit; mosmbrojtja nga një mjedis
familjar sa neglizhues për arsye objektive, po aq dhunues për shkak të mosndryshimit të
rrethanave sociale të familjes, siç mund të jetë punësimi i prindërve apo ndryshimi i gjendjes
ekonomike, janë vetëm disa nga shkaqet e recidivizmit. Nëse duam të mbështesim të miturit,
duhet ta fillojmë nga familja e tij.
Rakordimi dhe bashkëpunimi i hallkave institucionale më të rëndësishme që lidhen me
riintegrimin e tyre në shoqëri dhe zbutjen e përjashtimit social; reduktimi i faktorëve të riskut,
hartimi dhe zbatimi i programeve rehabilituese, marrja e shërbimeve vendore që u takojnë me
ligj të miturve dhe familjeve të tyre, janë garancia e vetme për ndryshime të qëndrueshme në
përmirësimin e sjelljes së të miturve, uljen e kriminalitetit dhe recidivizmit.