Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka folur në lidhje me vaksinimin e detyrueshëm për arsimtarët dhe studentët, vendim që u mor nga Komiteti i Ekspertëve për të ndaluar përhapjen e infektimeve.

Manastirliu përmendi një studim të CDC që tregonte se një mësues i pavaksinuar dhe që zhvillonte orën mësimore pa maskën mbrojtëse, infektonte gjysmën e klasës. Kjo tregon se rritet zinxhiri i infektimit, ndaj thekson se qëllimi i vendimit të vaksinimit të detyrueshëm për studentët dhe mësuesit është vetëm për të shpëtuar jetë.

Manastirliu: Përsa i përket vendimit të marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, pas një vlerësimi të thelluar të situatës së vaksinimit, më tej vijnë si obligime për të rritur mbulesën vaksinave të grupeve të riskuar që kanë riskun që lidhet me transmetueshmërinë në ambientet ku ushtrojnë detyrën e tyre.

Një studim i fundit i CDC tregon se një mësues i pavaksinuar në një klasë dhe që nuk mban maskën, infekton gjysmën e klasës. Risku është i lartë kur nuk vaksinohesh dhe nuk zbaton mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura. Nga ana tjetër, nuk është qëllim në vetvete vendosja e pezullimeve, por nxitje drejt vaksinimit dhe përpjekje për të shpëtuar jetët e atyre që shërbejnë dhe atyre që mbajnë shërbime. Ndaj 30 ditët e shtatorit do të jenë punë e hapur. Duke filluar nga tetori, do të kemi sërish komunikime për të saktësuar masat në raport me përqindjen e asaj kategorie që ende nuk është vaksinuar. Nevoja për të paraqitur certifikimin e testit që je i painfektuar është një kush për të vërtetuar që nuk je i infektuar, nuk infekton dhe nuk zgjeron zinxhirin e infektimit.